21:20

Morina: Teatër pa autonomi financiare dhe me ndërtesë katastrofale

Aktori Armond Morina ka vlerësuar se situata e teatrove në Kosovë, sidomos atij Kombëtar në Prishtinë, është në gjendje të mjerë.

AI në emisionin “DESKU” në KTV, ka thënë se teatrove u është marrë autonomia financiare, e për pasojë shpesh mbesin edhe pa letër higjienike, si dhe pa detergjent për të larë rrobat e aktorëve.

Ai po ashtu ka thënë se ndërtesa e Teatrit Kombëtar është e stërvjetëruar dhe se nuk plotëson asnjë kusht për performancë të duhur të aktorëve.

“Ne të skenës së pavarur gjithmonë do të avokojmë për të sjellë situatën sa më të mirë për punëtorët e kulturës. E kemi edhe rastin me Teatrin. Është shumë e rëndësishme për teatrot e Kosovës të kërkohet që shteti t'ua japë autonominë financiare. Teatrit të Kosovës sot iu ka marrë autonomia financiare. Situata ka ardhur edhe duke i përpunuar këto ligje, nganjëherë më shumë duke i bë kaos se duke i rregulluar, pavarësisht tendencës pozitive nga njerëzit e institucioneve. Sot nëse flasim për çështje banale të tetarit, nuk ke letër higjienike, pasi tenderi duhet të shkojë nga ministria, janë marrë krejt kompetencat”, ka thënë Morina.

Ai thotë se është koha e duhur që të hapet edhe debati për ndërtesën e Teatrit Kombëtar. Sipas tij, duhet të mendohet dhe të gjinden mënyra për ndërtimin e një teatri të ri modern.

“Ajo ndërtesë është katastrofale për kushtet e performimit. Për ne vendorët - ne jemi mësuar edhe në okupim - por mos të harrojmë sot kemi shumë miq, artistë ndërkombëtarë që i ftojmë me performu në shtëpinë tonë. E nëse ai ta sheh një Rrugë të Kombit - bukuria e Zotit - e më pas ta sheh një teatër të kombit...”, ka shtuar ai.

Aktori i njohur ka thënë se në Tetarin Kombëtar, ndër të tjera “çdo tetë muaj zihet edhe rrjeti i kanalizimit”.

“Ndoshta ka ardhur një moment që duhet hapur si debat, të kërkohet që ndoshta me Ligjin e Sponsorizimit të ndërtohet një teatër të ri”, ka thënë Morina.

21:14

Zefaj: Javën tjetër do ta fillojmë turneun nëpër komuna për t'i dëgjuar problemet e artistëve

Zëvendësministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit Engelbert Zefaj, ka thënë se nga java tjetër fillon turneu nëpër komunat e Kosovës për të dëgjuar problemet nga vetë artistët.

“Javën tjetër do të fillojmë me turneun nëpër të gjitha komunat për t'i dëgjuar për problemet e arstistëve individual që po përmendet më së shumti dhe që për ne është problemi më i madh dhe serioz. E dijmë që ka shumë artistë individual që nuk janë as të punësuar, as nuk kanë të hyra dhe kanë nevojë për ndihmë. Por nuk e dijmë cilët janë dhe si t'i gjejmë”, ka thënë ai në DESKU të KTV-së.

Ai tha se 23 projekte artistike janë subvencionuar në fillim të vitit, porse për shkak të pandemisë ato nuk kanë mundur të shpenzohen. Ministria, thotë Zefaj, ka kërkuar që të riprogramohen këto mjete për muajt e ardhshëm.

“Në muajin janar-shkurt, ministria ka lansuar thirrjen publike për subvencione. Sipas informacioneve, 23 projekte teatrore janë subvencionuar dhe i kanë marrë ato mjete. Pas asaj që kemi hulumtuar si ministri, na del që ata nuk kanë pasur mundësi t'i shpenzojnë ato mjete dhe e kemi kuptuar atë dhe kemi thënë që është shkaku i pandemisë. I kemi njoftuar organizatat për të biseduar të mos na kthejnë ato mjete por t’i riprogramojmë. Është në proces kjo punë”.

Zefaj e sheh problem mungesën e një databaze për të verifikuar problemet me të cilat përballen artistët.

“Përderisa nuk kemi një databazë, nuk ke pasqyrë si ballafaqohesh me problemin. Tash kemi fillu me ministri e kemi krijuar një grup punues, e kemi bë një plan veprimi se si ta krijojmë databazën. por kërkohen edhe partnerë që janë të komunitetit artistik, por janë me rëndësi shumë komunat”, tha ai.

Ai ka thënë se nuk ka probleme mes nivelit qendror dhe komunal, porse "duhet të qartësohen disa gjëra, se secila komunë ka dëshirë me pasë teatrin por sytë janë kah qeveria, që të financoj çdo gjë qeveria".

Ndërkaq, artisti Armond Morina thotë se tek çështja e ndihmës nga ministria për artistët, ata janë vonuar, duke shtuar se “duhet të jenë më efikasë”.

20:56

Morina: Jemi vonë për teatrin, s’kemi strategji nacionale

Aktori Armond Morina në emisionin Desku në KTV ka thënë se Kosova është vonë për teatrin, derisa ka theksuar se mungon edhe strategjia nacionale.

Sipas tij skena e pavarur e artistëve është pjesa më e dëmtuar nga pandemia COVID-19.

“Ai grup është më i dëmtuari në Kosovë. Skena e pavarur është shumë e lënë pas dore, ka qenë edhe para pandemisë. Shteti jonë nuk ka arritur ende të bëjë një bazë të të dhënave, me e krijuar rrethanën pse është e rëndësishme skena e pavarur, përveç asaj që është në mbikëqyrje institucionale. Ajo është një antipod edhe i institucioneve, sepse rehatia e institucionale mundet të krijojë edhe jo kualitet”, ka thënë Morina.

Sipas tij mungon një bazë e të dhënave të artistëve.

“Edhe në art ka dualizëm, edhe në art ka opozitë, por kualitative. Nuk kemi arritur me bo bazë të të dhënave të aktorëve. Është e vetmja skena e pavarur, jo vetëm të skenës, por edhe të pikturës dhe lëmive të tjera të cilat kanë mbet plotësisht pa mbikëqyrje. Mund të ketë zëra se pse këta nuk kanë krijuar shoqata, sepse s’kanë mbërri aktorët të bëjnë grupet e interesit. Besojmë se institucionet duhet t’i stimulojnë sepse komunikimi është më i lehtë”, është shprehur Morina. “Neve po na mungon një strategji nacionale, edhe në institucionet ekzistuese. Në procese jemi shumë vonë si shoqëri, fatmirësisht vonë filluan të punësohen dhe të krijohen ansamble në çdo qytet. Nëse po flasim për teatrin jemi vonë, edhe në aspekt regjional”.

20:30

Neziraj: Artistët e pavarur, më të dëmtuarit në kohë pandemie

Artistët e pavarur janë dëmtuar më së shumti nga pezullimi i punës si pasojë e pandemisë, sipas dramaturgut Jeton Neziraj e aktorit Armond Morina.

Neziraj në emisionin Desku të KOHËS ka thënë se teksa aktorët e Teatrit Kombëtar kanë marrë paga, ata që janë të pavarur dhe pa angazhime kanë pësuar shumë në tetë muajt e fundit që kur u vendosën masat e izolimit.

“Janë humbur rreth 20 produksione teatrore, sepse në vit në Kosovë nuk prodhohen më shumë se 20 shfaqje. Është numër shumë i vogël. Kosova ka humbur rreth 20 produksione, por skena e pavarur dhe artistët e pavarur janë më të dëmtuarit. Ata kanë pasur probleme të jashtëzakonshme sepse s’kanë pasur as angazhime. Ishin pa punë. Janë kategoria më e papërfaqësuar dhe e dëmtuar në këtë aspekt”, ka thënë ai.

Në anën tjetër, aktori Morina ka shtuar se grupi i artistëve të pavarur është më i lëni pas dore. Sipas tij, Kosova është i vetmi vend ku artistët e pavarur kanë mbetur pa mbikëqyrje.

“Po na mungon një strategji nacionale. Jemi shumë vonë. Jemi vonë në investime”, ka thënë ai.

Kjo u kundërshtua nga zëvendësministri i Kulturës, Engelbert Zefaj. Sipas Zefajt, shteti ka subvencionuar më shumë se 20 projekte teatrore.

“Në janar-shkurt ministria ka iniciuar thirrje publike për subvencione. 23 projekte janë subvencionuar dhe i kanë marrë ato mjete. Ata s’kanë pasur mundësi t’i shpenzojnë, por e kemi kuptuar që për shkak të pandemisë. S’do t’i kthejnë prapa mjetet. Riprogramimi është punë në proces”, ka thënë ai.