Kulturë

Kori para publikut me magjinë e muzikës dhe energjinë e akumuluar

Kori para publikut me magjinë e muzikës dhe energjinë e akumuluar
Jo më shumë se 25 veta kanë pasur mundësi të hynë në kinemanë “Lumbardhi” në Prizren, në koncertin e Korit të Filarmonisë së Kosovës. Një grup tjetër i vogël e ka ndjekur nëpërmjet ekranit të madh të Kino Bahçes. Por, koncerti i së premtes në Prizren, është nisja e një turneu të Filarmonisë nëpër qytete të Kosovës (Foto: Arben Llapashtinca)

Anëtarët e Korit të Filarmonisë së Kosovës pas shtatë muajsh kanë veshur “uniformën” e tyre të skenës. Kësaj radhe para koncertit, kanë bërë rreth një orë rrugë. Prizreni ishte nikoqir i koncertit të tyre pas pauzës së detyrueshme. Në skenën e improvizuar të kinemasë “Lumbardhi” janë bërë bashkë zërat e Korit të institucionit më të lartë të muzikës në Kosovë. Para publikut të kufizuar në numër, është prezantuar një program goxha i larmishëm që ka përshkuar një rrugëtim muzikor nëpër veprat moderne, që nga meloditë e Evropës Veriore për të kapërcyer te veprat e kompozitorëve shqiptarë. Një program të ngjashëm e kishin prezantuar edhe më 10 mars në kishën Shën Ndou në Prishtinë, që shënoi koncertin e fundit para vendosjes së masave parandaluese kundër pandemisë së COVID-19, që mbylli edhe krejt institucionet kulturore.

Me veprën “Uncloudy Day”, të kompozuar nga Josiah Kelley Alwood, ka nisur mbrëmja koncertale nën direktivat e dirigjentit kosovar, Hajrullah Syla. Është nga ato veprat e inspiruara nga qetësia e mesnatës pasi që shiu ka pushuar. Një atmosferë e tillë depërtoi edhe nëpërmjet harmonisë së zërave për të vazhduar në veprën vokalo-instrumentale “Only in sleep” të kompozitorit Eriks Esenvalds, e që pati në fokus zërin e sopranos Ilvije Dragusha.