Kulturë

“Mirëdita, dobar dan!” në Beograd për të kaluarën, luftën e kujtesën

“Mirëdita, dobar dan!” në Beograd për të kaluarën, luftën e kujtesën
Festivali “Mirëdita, dobar dan!”, në edicionin e shtatë ka në fokus të kaluarën, luftën, trashëgiminë e luftës e dokumentimin e së kaluarës

Sa herë që kapërthehet edhe një edicion i festivalit “Mirëdita, dobar dan!”, mbarëvajtja e tij varet ose nga situata politike midis Kosovës dhe Serbisë ose reflekton mbi ngjarjet ku nyjëtohen dy vendet. Sivjet me rifillimin e procesit të negociatave në Bruksel dhe me nënshkrimin e marrëveshjes së Washingtonit, organizatorët nuk kishin sesi t’i iknin asaj që u konsiderua si marrëveshje historike. Por, marrëveshjet politike dhe ekonomike janë vetëm korniza, ndërsa thelbi qëndron në afrimin e shoqërive të Serbisë dhe Kosovës.

Kështu mendon Ivan Gjuriq, drejtor i programit të Nismës së të Rinjve për të Drejtat e Njeriut, e cila është një nga organizatorët e festivalit. Sipas tij, shqiptarët dhe serbët duhet ta njohin njëri-tjetrin.