Kulturë

Profecia për Kuvajtin dhe Kosovën

Profecia për Kuvajtin dhe Kosovën

Fryu era e shkretëtirës dhe ma solli në freskun e Gërmisë muzën e gazetarit që ta përkujtoj për së gjalli zonjën e veçantë të Kuvajtit, Lejla el Osman, shkrimtare e shquar, autore e gjashte romaneve dhe po aq veprave të tjera letrare. Nga veprat e saj u xhiruan filma dhe seri televizive, kurse romani i saj “Vesmia del nga uji” (Wasmiya takhruju min al-Bahr) – që tani së shpejti del në shqip në përkthim të Shemsi Ajvazit – është shpallur ndër 100 romanet më të mira në letërsinë arabe. Kjo pjesë e biografisë së saj u përket kritikëve të letërsisë, kurse për mikeshën e Kosovës që nga vitet e ‘70, kur për herë të parë ishte tek ne e ftuar nga Shoqata e atëhershme e Shkrimtarëve të Kosovës, mund të them se është një paradigmë e intelektuales së guximshme në këtë botë të trazuar.

Lejla u lind në Kuvajt, më 1948. Familja e saj si shumë të tjera u bë shumë e pasur, veçmas pas pavarësisë nga britanikët, më 1961. Ajo krenohej se Kuvajti ishte vendi i parë në Gjirin me kushtetutë e demokraci parlamentare, me një zhvillim të shpejtë të kulturës që e bënë Kuvajtin të dallohej me gazeta e revista të njohura si “al-Arabi”, që ia kushtoi Kosovës një reportazh më 1982 që bëri jehonë të madhe. Kuptohet, pas zbulimit të naftës, Kuvajti u bë ndër shtetet më të pasura në botë, por Lejla nuk ndryshoi. Nuk e rrëmbeu shkëlqimi i ardhur nga nëntoka e atdheut. Ajo vazhdoi të punojë në gazetari e të merrej me letërsi, si me atë njeriun tjetër në rruzull që po vuante.