Kulturë

“Mirëdita...” e Kosovës lë në Serbi thirrjen për bashkëpunim e drejtësi

“Mirëdita...” e Kosovës lë në Serbi thirrjen për bashkëpunim e drejtësi
Shfaqja e filmit “Shpia e Agës” që trajton fatin e grave të dhunuara në luftën e fundit në Kosovë, të shtunën mbrëma në Qendrën për Dekontaminim Kulturor në Beograd, ka përmbyllur edicionin e shtatë të “Mirëdita, dobar dan!”

Aga si fëmijë 9-vjeçar mendon se i ati i tij gjendet diku në burgjet e Serbisë pasi lufta e kishte dërguar atje. Kësisoj i kishte thënë e ëma, kur fëmija ishte interesuar për të atin. Por, çehrja e Agës (Art Lokaj) ndërron me të madhe kur fshehurazi dëgjon të ëmën, Kumrinë (Shengyl Ismaili) derisa u rrëfen gazetarëve të huaj se ajo ishte dhunuar nga forcat serbe në luftë dhe realisht nuk e di se kush nga dhunuesit është babai i fëmijës. E në këtë moment të filmit nën regji të Lendita Zeqirajt ka ndërruar edhe çehrja e të pranishmëve që po shikonin filmin në Qendrën për Dekontaminim Kulturor në mbrëmjen e së shtunës në Beograd. Rasti i dhunimit të grave shqiptare gjatë luftës së fundit në Kosovë, gjatë edicionit të shtatë të festivalit “Mirëdita, dobar dan!”, nuk është paraqitur vetëm përmes filmit që premierën botërore e kishte në korrikun e vitit të kaluar në Festivalin Ndërkombëtar të Karlovi Varit në Çeki. Fotografia e memorialit “Heroinat” që gjendet në Prishtinë, kushtuar viktimave të dhunës seksuale, është pjesë e imazheve që do të qëndrojnë të ekspozuara në kryeqytetin deri të martën e javës që vjen. Sipas organizatës “Humans Right Watch” janë 20 mijë gra të dhunuara në luftën e fundit në Kosovë. Për ato drejtësia është diçka krejt virtuale.

Politika – pengesë drejt së vërtetës për viktimat