Kulturë

Kori i Filarmonisë, te publiku në Pejë me energjinë pozitive të muzikës

Kori i Filarmonisë, te publiku në Pejë me energjinë pozitive të muzikës
Kinemaja “Jusuf Gërvalla” ka qenë nikoqire e koncertit të Korit të Filarmonisë së Kosovës, në dirigjim të Hajrullah Sylës (Foto: Adi Beqiri)

Kur shpërtheu pandemia, në pamundësi për të mbajtur koncert, institucioni më i lartë i muzikës në vend, filloi ritransmetimin nëpër rrjete sociale të koncerteve të mbajtura më parë. Në një mënyrë, kësisoj ia dëshmoi publikut se do të jetë afër edhe në kohë të vështirë. Drejtori i Filarmonisë së Kosovës, Baki Jashari, do të thoshte se muzika mund të shërbejë si lehtësues për situata të tilla.

Sapo u lehtësuan masat, Kori i Filarmonisë së Kosovës u rikthye me koncertin e parë në kinemanë “Lumbardhi” në Prizren më 16 tetor. Me të paralajmëruan një lloj mini-turneu nëpër vend. Të premten mbrëma, stacioni i radhës ka qenë Peja, ku u shpalos ai që është përshkruar si “rrugëtim muzikor nëpër meloditë e Evropës veriore deri te krijimtaria e kompozitorëve shqiptarë”. Po ky program qe prezantuar edhe më 10 mars në Kishën Shën Ndou në Prishtinë, që shënoi koncertin e fundit para izolimit.