Kulturë

Përralla për pellazgët në veprën e Aref Matit

Përralla për pellazgët në veprën e Aref Matit

Përpjekja për të zbuluar të vërtetën historike realizohet me sukses kur mbështetet në fakte dhe në dokumente të shkruara dhe jo në fantazinë dhe në dëshirën e mirë. Studimi i historisë së popujve të lashtë nuk është aq i mundshëm dhe aq i lehtë. Literatura e deritanishme për historinë e pellazgëve dhe të ilirëve (në plan botëror) është e mjaftueshme dhe nuk fsheh asgjë për të cilën të kërkohet rishikim i shkrimeve, të dhënave dhe punimeve shkencore për temën në fjalë. Autorët e lashtë në veprat e tyre flasin për pellazgët dhe për ilirët. Nuk janë gjetur gjurmë të dukshme as të gjuhës dhe as të qytetërimit të pellazgëve dhe të ilirëve. Nuk ka asnjë të dhënë për organizimin shoqëror, ekonomik e politik të fiseve pellazge dhe të atyre ilire. Janë përkthyer pothuaj në të gjitha gjuhët e Europës dhe studiohen në universitetet europiane të ashtuquajturit parasokratikë të shekujve 8-7 p.e.r. Nuk kemi, për fat të keq, jo vetëm për shkencën shqiptare, por edhe për historinë dhe gjuhësinë europiane, asnjë dëshmi jo vetëm për gjuhën e popullit pellazg, por as për gjuhën e fiseve ilire.

Vepra “Shqipëria (Historia dhe gjuha) Odiseja e pabesueshme e një populli parahelen” e autorit Aref Mati (historian shqiptaro-francez), përkthyer nga frëngjishtja më 2007, qysh në titull të krijon përshtypjen se autori ka zbuluar dokumente e të dhëna të panjohura deri më sot që hedhin dritë në historinë aq të mjegullt e të vagëlluar të popullit pellazg dhe në vazhdimësi të fiseve ilire. Vepra është fryt i një pune 40-vjeçare, mbi një literaturë mjaft të pasur. Profesori i universitetit të Sorbonës, Dominik Brikel, në fillim të veprës së A. Matit shkruan: ”Historiani duhet të shndërrohet në gjeograf, në gjuhëtar, në folklorist dhe në shumë specialitete të tjera, nga të cilat secila sjell dritën e saj dhe mundëson për të arritur në siguri absolute, pa dyshim jo pa u gabuar, por të paktën për të ngritur njërin cep të mbulojës dhe për të arritur të shohësh se përkrah qytetërimeve klasike kanë ekzistuar popuj të tjerë, të cilët kanë pasur edhe ata vendin e tyre në histori. Është ky thelbi i veprës së A.Matit për shqiptarët dhe stërgjyshërit e tyre të lashtë”.