Kulturë

Pitosi 1 700 vjet i vjetër mbetet në arat e Kamenicës shkaku i 450 eurove

Pitosi 1 700 vjet i vjetër mbetet në arat e Kamenicës shkaku i 450 eurove
Pitosi, që besohet se u takon shekujve III-IV, ka mbetur në dhe tash e gati një muaj në “Arat e mëdha”, në fshatin Bllatë të Kamenicës, aty ku u gjet rastësisht derisa po korrej misri. Instituti Arkeologjik i Kosovës nuk ia ka dalë që të gjejë 400 deri në 450 euro, sa edhe ka llogaritur se i kushton bartja e artefaktit

Instituti Arkeologjik i Kosovës ka kohë që ka mbetur larg lokaliteteve arkeologjike. Bile sivjet jo që nuk ia ka dalë të bëjë punime në terren, por nuk është në gjendje as të tërheqë gjetje rasti. Për këtë dëshmia më e mirë është pitosi i periudhës romake, rreth 1 700 vjet i vjetër, në Komunën e Kamenicës. Ka ngelur në dhe tash e gati një muaj. IAK-ja nuk ia ka dalë që të gjejë 400 deri në 450 euro, sa edhe ka llogaritur se i kushton bartja e artefaktit. Në fillim të këtij muaji zyrtarët e Komunës së Kamenicës e kishin njoftuar institucionin qendror për arkeologji se në arat e fshatit Bllatë të kësaj komune ishte hasur në një gjetje arkeologjike.

Në ditën e pestë të tetorit një ekip i IAK-së, i kryesuar nga drejtori Enver Rexha dhe arkeologët Shafi Gashi e Premtim Alaj, kishte dalë në terren për këtë rast. Treshja kishte marrë vesh se pitosi është zbuluar rastësisht gjatë korrjes së misrit për silazhe të bagëtive, ku gjatë lëvizjes me traktor është thyer kapaku i gjetjes dhe disa pjesë të tij kanë rënë brenda. Këtë e kanë shkruar në një raport, i cili një ditë më pas i është përcjellë edhe Ministrisë së Kulturës. Sipas këtij ekipi, lokaliteti gjendet mbi fshat rreth 300-400 metra në verilindje të vendbanimit në një terren kodrinor. Sipas të dhënave që kanë mbledhur, parcela punohet aktualisht nga Shefki Thaçi, por është pronë e Zenepe Hotlanit. Sipas toponimeve të vendësve, zona njihet si “Arat e mëdha”.