Kulturë

“Ecje” nëpër shtigjet e jetës kulturore paralele në vitet ‘90

“Ecje” nëpër shtigjet e jetës kulturore paralele në vitet ‘90

Një telefon i mençur dhe një palë kufje. Kaq pak duhet për t’u kthyer prapa në kohë. Është Prishtina e viteve ’90. Narratori veç sa i ka mbushur 18 vjet dhe sipas ligjit, është i obliguar të rekrutohet nga Ushtria Jugosllave. Lufta në Bosnjë e Hercegovinë ka arritur kulmin.

Bulevardi “Bill Klinton” është pikënisje e rrugëtimit auditiv, të krijuar nga memoaret reale të regjisorit e aktorit Florent Mehmeti, në fundshekullin e kaluar. Teknologjia bashkëkohore mundëson takimin me një rrëfim të moçëm. Nëpërmjet këtij projekti Mehmeti e dërgon vizitorin në shtigjet e jetës kulturore paralele të viteve ‘90. E mira dhe e keqja kryqëzohen në këto shtigje. Pluhuri i harresës zhduket dhe përjetimet personale të artistit sa vijnë e bëhen kolektive. Muzika melankolike në sfond ua shton dramën copëzave të kujtimeve. Historitë sa vijnë e bëhen më të dhimbshme, më të vrazhda. Në disa syresh, narratori vallëzon – një prej pjesëve të “Ecjes” është titulluar “Vallëzimi i parë sentish”. Në të tjera, e kaplon dhimbja, humb miqtë e njerëzit e dashur që vriten nga plumbi. Të shtënat përjetohen si të ishin reale.