1 perditesime
09:39

Thaçi, Hoti e Haradinaj ngushëllojnë për vdekjen e kompozitorit Avni Mula

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka shkruar se vdekja e kompozitorit të shquar shqiptar, Artistit të Popullit, Avni Mula, është humbje madhe e kulturës kombëtare, familjes dhe miqve të tij.

Thaçi ka shkruar në Facebook se brenda një periudhe të gjatë jetësore, Avni Mula kontribuoi në shumë fusha të artit muzikor, duke lënë pas një trashëgimi të pasur dhe elitare.

“Lamtumirë maestro, lamtumirë Nderi i Kombit”, ka shkruar ai.

E për këtë rast ka shkruar edhe kryeministri Avdullah Hoti.

“Me pikëllim e mora lajmin për ndarjen nga jeta të artistit të madh shqiptar, Avni Mula. Ngushëllime të sinqerta Inva Mulës, të gjithë familjes dhe komunitetit të artistëve. Vepra e çmuar e kompozitorit dhe baritonit tonë, do të jetojë gjatë edhe për brezat që do të vijnë”, ka shkruar Hoti në Facebook.

Edhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj ka shprehur ngushëllime me rastin e ndarjes nga jeta të kompozitorit të njohur shqiptar, Avni Mula.

Përmes një postimi në Facebook, Haradinaj e ka quajtur Mozarti shqiptar kompozitorin Mula.

"Avni Mula, kompozitori që shqiptarëve iu dha "Valsin e Lumturisë", paska ndërruar jetë. Mozarti shqiptar, la pas një trashëgimi të shkëlqyer, me një mal veprash artistike.

Ngushëllime familjes Mula, komunitetit artistik, miqve dhe gjithë kombit shqiptar!

U prehsh në paqe maestro", ka shkruar Haradinaj.

09:32

Dumoshi: Avni Mula, artist i përmasave botërore

Ministrja e Kulturës, Vlora Dumoshi ka shprehur ngushëllime, familjes dhe miqve me rastin e vdekjes së artistit Avni Mula, duke thënë se ai ishte artist i përmasave botërore, por që vendit të tij të vogël i fali veprën e madhe muzikore, e cila do t'i rezistojë kohës e stileve.

Dumoshi ka thënë se mjeshtri i madh Avni Mula ndërtoi pjesën më të madhe të jetës së tij artistike në Teatrin e Operës dhe Baletit të Shqipërisë, por gjurma e tij muzikale do të mbesë e paprekur dhe përgjithmonë e nderuar kudo ku ka shqiptarë.

Telegrami i plotë i ngushëllimit:

E nderuar familje Mula,

Me pikëllim të thellë mora lajmin për ndarjen nga jeta të Avni Mulës, babait e familjarit tuaj dhe artistit tonë të madh.

Artisti i popullit e Nderi i Kombit Avni Mula qe tenor, mësues e pedagog, qe artist i përmasave botërore por që vendit të tij të vogël i fali veprën e madhe muzikore e cila do t'i rezistojë kohës e stileve.

Baritoni dhe kompozitori i njohur Avni Mula do të vlerësohet dhe nderohet për krijimtarinë e tij që me dekada me radhë ka sjellë jo vetëm në skenën operistike, por dhe në atë të këngës në festivale të ndryshme.

Mjeshtri i madh Avni Mula ndërtoi pjesën më të madhe të jetës së tij artistike në Teatrin e Operës dhe Baletit të Shqipërisë por gjurma e tij muzikale do të mbesë e paprekur dhe përgjithmonë e nderuar kudo ku ka shqiptarë.

Gjetsh dritën e përtejme në Valsin e Përjetësisë mjeshtër i madh!