Kulturë

Njerëz prej zinxhirëve në luftë për fron e përballë robërisë

Njerëz prej zinxhirëve në luftë për fron e përballë robërisë
Nga një perspektivë, personazhet e skulptorit Eroll Murati mund të shihen edhe si politikanë e qytetarë. Dallohen qartë në bazë të ngjyrave e pozicioneve që kanë brenda ekspozitës “Skulptura në hapësirë”, që është hapur të hënën në sheshin “Skënderbeu”
 

Ka zgjedhur ngjyrat bardhezi. Vetëm në një rast ka bërë përjashtim duke përdorur ngjyrën e arit. E tillë është pamja e karriges që në njëfarë mënyre simbolizon pushtetin. Artisti Eroll Murati është tepër direkt me atë që paraqet. Egoistët që kanë për synim pushtetin janë të zinjtë. E pjesa tjetër, njerëzit e zakonshëm. Nga një perspektivë, personazhet e skulptorit mund të shihen edhe si politikanë e qytetarë. Dallohen qartë në bazë të ngjyrave e pozicioneve që kanë brenda ekspozitës “Skulptura në hapësirë”, që është hapur të hënën në sheshin “Skënderbeu”, përballë Teatrit Kombëtar të Kosovës në Prishtinë. Personazhet janë të mbështjellë me zinxhirë.

Nëpërmjet tyre bëhet edhe tërheqja e karriges ngjyrë ari. Janë dy pushtetarë që luftojnë me njëri-tjetrin për fron. Cikli vazhdon me pushtetarin e qytetarin. I pari e tërheq me zinxhirë të dytin. Kjo marrëdhënie zbërthehet thjesht përmes një imazhi që flet shumë. Njeriu i zakonshëm është peng i egoistit. E triptiku plotësohet përmes një qytetari, i cili është i lidhur me zinxhirë e nuk ka mundësi që të lëvizë duart. Interpretimet mund të jenë të llojllojshme. Nëpërmjet ekspozitës, që nuk kishte ceremoni zyrtare të hapjes, Murati e ka ftuar publikun t’i shohë skulpturat që pasqyrojnë robërimin e njerëzve të ndershëm, por edhe një robërim të vetvetes nga ata që udhëheqin ose urdhërojnë.