Kulturë

“PoDuArt” me ngjyra e stile për pasurimin skenës artistike

“PoDuArt” me ngjyra e stile për pasurimin skenës artistike
Gjashtëmbëdhjetë artistë janë bërë tok, për dy ditë në fshatin Orllan me koloninë “PoDuArt”, që sivjet organizohet për herë të parë, me synimet për t’u bërë ngjarje tradicionale. Pos bashkimit të artistëve, vjen edhe si thirrje për hapjen e një galerie të artit në Podujevë
 

Mbledhja për herë të parë pranë Batllavës, ka motivuar një grup të vogël piktorësh ta shkrijnë imagjinatën e tyre në art pamor. Shoqëruar nga rrezet e diellit të vjeshtës, si dhe bukuritë e kodrave që rrethojnë liqenin artificial, piktorët kanë përvjelë mëngët dhe kanë krijuar piktura të cilat më pas i kanë prezantuar në edicionin e parë të kolonisë së artit pamor “PoDuArt”, që u mbajt fundjavën e kaluar në fshatin Orllan të Komunës së Podujevës.

Për piktorin, Hajrush Fazliu, organizime të tilla janë pasurim i vlerave të artit pamor në vend. Ai me anë të brushës ka zgjedhur të formësojë tri figura të njerëzve të cilat janë të paidentifikueshme. “Në këto koloni ka një lloj gërshetimi të stileve dhe teknikave dhe aty shihet identiteti i një artisti. Unë pikturova tri vepra në teknikën akrilik, kryesisht vepra të orientuara me një profil që i kam pagëzuar ‘Profile llapjane’ . Kam sjellë piktura që kanë ngjyra me përplot energji. Kjo koloni duhet të merret si shembull që të organizohet edhe në trevat e tjera shqiptare”, ka thënë Fazliu, ligjërues në Fakultetin e Arteve në Universitetin e Prishtinës, “Hasan Prishtina”.