Kulturë

“Recetë kuzhine” si realitet dualist brenda katër mureve

“Recetë kuzhine” si realitet dualist brenda katër mureve
“Recetë kuzhine” nxjerr në pah realitetin dualist brenda katër mureve të kuzhinës. “Të qenit amvise sot duket se është sinonimi i një të burgosure në kohëra postmoderne”, është sqarimi që i bëhet konceptit të ekspozitës që vjen si thirrje kundër dhunës ndaj grave e denoncim i saj
 

Për ta pasqyruar jetën e grave shqiptare, artisti Arianit Beqiri nuk e ka kaluar pragun e shtëpisë. Tri prej veprave të ekspozitës së tij janë realizuar brenda shtëpisë. Një fotografi e nënës së tij rri në pjesën qendrore të ekspozitës. Është pikërisht para kuzhinës. Të qenit amvise, sipas Beqirit, i përngjan rutinës së të burgosurit e një temë si kjo ai e zbërthen në ekspozitën “Recetë kuzhine” e hapur të hënën në galerinë “Qahili” në periferi të kryeqytetit. Në videon që ndodhet në pjesën tjetër të murit vizualizohet përditshmëria e nënës së tij. Derisa po e qep një pancir, i cili ka gjatësinë e përparëses me të cilën gatuan, shpesh kthehet në kuzhinë dhe kryen punët e shtëpisë.

“Të qenit amvise sot duket se është sinonimi i një të burgosure në kohëra postmoderne. Ç’do të thotë të jesh amvise? Asgjë më shumë sesa një rutinë e ngjashme me dikë që është në burg”, është sqarimi që i bëhet konceptit të “Recetës...” e që mund të lexohen që në hyrje të hapësirës ekspozuese. Këtë “burg” Beqiri e ka paraqitur edhe nëpërmjet pikturës ku shihet një burrë përtej grilave. Është gruaja ajo që mbetet në shtëpi, rutinën e së cilës piktori e përshkuan të ngjashme më atë të burgosurit. Arsyeja përse fotografia është e realizuar në kuzhinën e shtëpisë është se aty përveçse gatuhen recetat pikërisht ai është vendi ku fshihet dhuna.