Kulturë

Filarmonia e Kosovës përjeton në Shkup akustikën e sallës që s’e ka

Orkestra e Filarmonisë së Kosovës, të hënën mbrëma në sallën e Filarmonisë së Maqedonisë në Shkup, e inauguruar në maj të vitit 2017. Instrumentistët kanë thënë se në një sallë si kjo, tingëllojnë krejt ndryshe prej interpretimeve kudo nëpër Kosovë (Foto: Arben Llapashtica)
 

Rreth dy javë pasi që Kori i Filarmonisë së Kosovës u prezantua me koncert në Shkup, institucioni më i lartë muzikor e ka mbledhur përsëri publikun në kryeqytetin e shtetit fqinj. Veçse këtë herë e gjithë loja koncertale është bazuar në instrumentet e Orkestrës së Filarmonisë së Kosovës. Instrumentistët kanë komunikuar muzikalisht me publikun nga salla e madhe e Filarmonisë së Maqedonisë së Veriut, derisa ata kanë qenë të shpërndarë duke e respektuar distancën si masë mbrojtëse nga përhapja e pandemisë së koronavirusit. Edhe orkestra është paraqitur e përgjysmuar. E lojën e saj muzikore në zbërthim të programit të bazuar në vepra shqiptare e ka udhëhequr dirigjenti nga Tirana, Gridi Kraja.

Orkestra e Filarmonisë së Kosovës është kthyer pas 16 vjetësh para audiencës së Shkupit, ku ishte prezantuar në vitin 2004 me operën “Dasma arbëreshe”.