Kulturë

Sislej Xhafa thyen vezë mbi televizor si reflektim për rolin e mediave

Sislej Xhafa thyen vezë mbi televizor si reflektim për rolin e mediave
Sislej Xhafa, “Sunnysideup”, 2020, performancë në New York, (Foto: “Galleria Continua”)

“Sunnysideup” titullohet receta e artistit me nam nga Kosova, që do të zërë vend në vëllimin e dytë të librit të recetave që bën tok artistë prej të katër anëve të botës. “Zakonisht mediat sot, pasi që kanë lindur në vitet ’40 e ’50 si një shenjë e veçantë e edukimit, i kanë reduktuar imagjinatën dhe aftësitë e mendimit kritik. Kështu që është një reflektim ndaj mediave që sot ekzistojnë në botë”, ka thënë Xhafa për KOHËN, teksa ka zbërthyer recetën e tij që e quan omlet mbi televizor

Në një libër gatimi, ku bëhen tok artistë me nam në botë, mund të pritet gjithçka, madje edhe vezë mbi televizor. E tillë është receta “Sunnysideup” e artistit kosovar, Sislej Xhafa. Vezët e skuqura janë përgjigjja e tij ndaj ftesës së Silvia Macchettos, e cila është duke punuar në vëllimin e dytë të librit të recetave nga artistë prej të katër anëve të botës.

Xhafa është i njohur për veprat që mund të përshkruhen si “veprime” apo strategji konceptuale që i sfidojnë stereotipat kulturorë, paragjykimet e paramenduara dhe strukturat institucionale.