Kulturë

Instituti kthen artefaktet që i zhvendosi ilegalisht, kërkon leje huazimi

Instituti kthen artefaktet që i zhvendosi ilegalisht, kërkon leje huazimi
Pa e përfillur Ligjin për trashëgimi kulturore, më 11 nëntor, Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve ia kishte huazuar Institutit të Studimeve Sociale e Humanistike të Fakultetit Filozofik 12 artefakte, shumica prej tyre të gjetura vite më parë në lokalitetin arkeologjik të Ulpianës
 

Ani pse gati dy javë më parë për Institutin e Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve s’bëhej fjalë për shkelje ligji kur 12 artefakte ia dorëzoi Fakultetit Filozofik, tash tërthorazi e ka pranuar se bartja bie ndesh me ligjin. I ka kthyer artefaktet dhe i ka bërë kërkesë Ministrisë së Kulturës që t’i lejohet huazimi i tyre. Ministria e Kulturës ende s’ka dhënë leje, përderisa deklaron se bartja ilegale nuk do të mbetet pa marrje të masave

Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve është tërhequr nga mënyra e dorëzimit të artefakteve dhjetë ditë më parë. Ky institucion ia ka bërë një sqarim Ministrisë së Kulturës për 12 eksponatet që ia dorëzoi Institutit të Studimeve Sociale e Humanistike të Fakultetit Filozofik. Në atë rast nuk ishte respektuar Ligji për trashëgimi kulturore, dhe me hapin e radhës, edhe IKMM-ja tërthorazi e ka pranuar një gjë të tillë, ndryshe prej shpjegimeve e arsyetimeve që kishte dhënë. Shkeljen e ligjit e kishte konstatuar vetë Ministria e Kulturës, derisa i kishte kërkuar sqarim menaxhmentit të IKMM-së.