Kulturë

“Ura” lidh fatet e luftëtarëve në kohë lirie

E dhënë premierë si shfaqje mysafire, pasditen e së hënës në Teatrin Kombëtar të Kosovës, shfaqja “Ura” ka evokuar pasojat e luftës në njerëz dhe fate. E interpretuar nga aktorët Avni Dalipi dhe Afrim Muçaj, drama vë theksin edhe te shëndeti psikik i të margjinalizuarve
 

Në Gjermaninë e gërmadhave, pas Luftës së Dytë Botërore, veteranët ishin të parët nga kategoria e invalidëve që guxuan të organizoheshin pavarësisht ndalimeve nga ana aleatëve. Një letrar nga Kölni, që shumë më vonë do të bëhej shkrimtar nobelist, Heinrich Böll, do të sillte në dritë fatin e një brezi të mbijetuarish të luftës kundrejt një Gjermanie që sikur nuk kishte nge të merrej me ata që u hendikepuan përjetshëm nga lufta. Në tregimthin e tij satirik “Këmba ime e shtrenjtë” (në origjinal “Mein teures Bein”), të botuar më 1948, një nëpunës cinik i ofron një veterani me këmbë të amputuar një punë si lustraxhi pranë një banje publike. Kur ai e refuzon atë me kërkesën që të merrte një pension më të lartë, nëpunësi do t’i përgjigjej pa e prishur çehren: “Ju jeni i çmendur”.

Në dialogun sarkastik që vazhdon me jakëbardhin që nuk do t’ia dijë për “këmbën tmerrësisht të kushtueshme”, siç e thotë me cinizëm, invalidi i thotë: “Duhet ta dini se ajo këmba ime ua ka shpëtuar jetën një mori njerëzve, të cilët sot marrin nga një pension të majmë”.