Kulturë

Vepra e Çettës – pasuri e identitetit kulturor e kombëtar

Vepra e Çettës – pasuri e identitetit kulturor e kombëtar
“Muaji i Anton Çettës” ka vijuar aktivitetet të enjten me promovimin e botimit të kompletit 13-vëllimesh, që përfshin vepra të botuara, postume, si dhe dorëshkrime të pabotuara më parë
 

Ndonëse ishin gati qysh prej pesë vjetësh në Degën e Folklorit në Institutin Albanologjik të Prishtinës, veprat e plota të profesor Anton Çettës janë botuar vetëm në nëntor të këtij viti. Në mijëra faqe sa kanë të 13-të vëllimet e kompletit janë përfshirë vepra e artikuj prej mesit të viteve ’50, dorëshkrime të tjera të pabotuara, intervista, si dhe materiale fotografike që kronikojnë profilin poliedrik të intelektualit që në vitet ’90 i priu aksionit për pajtimin e gjaqeve. Janë përuruar të enjten, ku ndër të tjera janë cilësuar edhe si dëshmi e identitetit kulturor e pasuri e madhe e trashëgimisë shpirtërore

Prishtinë, 26 nëntor – Mijëra tregime, anekdota, këngë popullore, fjalë të urta e krijime të tjera popullore do t’i shpëtonte nga zhdukja vetëm vullneti e pasioni për t’i mbledhur, ruajtur e studiuar ato. Prej mesit të viteve ’50 e në dekadat në vazhdim, emri i profesorit Anton Çetta do të asocionte me përpjekjen ngulmuese për të mbledhur trashëgiminë e pasur të folklorit shqiptar.