Kulturë

Komuna e Prizrenit kërkon leje tek pas ndërhyrjes joligjore në Shtëpinë e Shehzades

Komuna e Prizrenit kërkon leje tek pas ndërhyrjes joligjore në Shtëpinë e Shehzades
Tek pasi ka nisur punimet, e të cilat më pas janë ndërprerë, Drejtoria e Turizmit, gjatë kësaj jave, nëpërmjet Drejtorisë së Urbanizmit të Komunës së Prizrenit, ka dorëzuar në Qendrën Rajonale të Trashëgimisë Kulturore kërkesën për riparimin e pjesshëm në Muzeun Etnologjik, përkatësisht Shtëpinë e Musa Shehzades
 

Me arsyetimin se i është dashur të bëjë punime urgjente, pa leje të institucioneve të trashëgimisë kulturore, Komuna e Prizrenit ka nisur rregullimin e kulmit të Shtëpisë së Musa Shehzades, ku zë vend Muzeu Etnologjik, me qëllim që, sipas saj, të mos rrezikohen eksponatet. Por, për autoritetet e trashëgimisë kulturore, veprime si këto, pos që bien ndesh me ligjet në fuqi, krijojnë precedent negativ, por dhe mund të shkaktojnë dëmtime të pariparueshme në monumentet e qytetit të Prizrenit. Punimet janë ndërprerë në pritje të lejes përkatëse

Prizren, 26 nëntor – Autoritetet përgjegjëse të trashëgimisë kulturore kanë konstatuar se Komuna e Prizrenit ka bërë ndërhyrje të paautorizuar në Shtëpinë e Musa Shehzades në Prizren, aset ky që mbrohet nga shteti. Për këtë arsye, Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, nëpërmjet një vendimi të javës së kaluar, ka urdhëruar ndalimin e punimeve, duke obliguar organet komunale që për realizimin e tyre të marrin aprovim nga Qendra Rajonale e Trashëgimisë Kulturore. Zyrtarët komunalë të Prizrenit kanë pohuar se punimet kanë qenë të karakterit urgjent dhe se tani është në procedurë marrja e pëlqimit përkatës. Por, drejtuesit e QRTK-së kanë thënë se ky nuk është rasti i vetëm i ndërhyrjes së paautorizuar nga organet komunale dhe kanë kërkuar respektimin e dispozitave ligjore.