Kulturë

“28 Nëntori” si mozaik shumëngjyrësh me figura kombëtare

“28 Nëntori” si mozaik shumëngjyrësh me figura kombëtare
Petrit Markaj është kthyer nga Montbéliard i Francës në Prizren, e publikut i sjell një seri veprash me ekspozitën “28 Nëntori” që përjetësojnë në art figura kombëtare
 

Deri sivjet, nuk ka pikturuar kurrë më parë në Kosovë, por Petrit Markaj ia ka vënë synim vetes që me kthimin e tij nga Montbéliard i Francës në Prizren, ta sjellë edhe një ekspozitë për shënimin e 108-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë. Gjatë qëndrimit të tij tremujor në kryeqytetin historik të Kosovës, Markaj i ka vënë cak vetes që të sjellë në ngjyra figurat më të njohura kombëtare. I ka portretizuar, ashtu siç i ka parë vetë piktori. Në qendër të ekspozitës e ka portretin e ish-ushtarit të UÇK-së, Xhafer Kadiri, i cili do të vendoset në ankand me qëllim që të gjitha të ardhurat t’i dhurohen atij.

Fotografia ikonike ishte shkrepur në nëntorin e vitit 1998 në Reti të Rahovecit dhe lotët në fytyrën e Kadirit shprehnin dhimbjen e thellë për humbjen e dy miqve të tij komandantë. Ish-ushtari nga Rahoveci as sot e kësaj ditë nuk e ka kuptuar se kush e kishte shkrepur fotografinë.