Kulturë

“Peja Jazz”, si çlirim prej shablloneve për shpresë e shkrirje distance

“Peja Jazz”, si çlirim prej shablloneve për shpresë e shkrirje distance
“Peja Jazz” është menduar që të jetë një seri koncertesh që do të mbahen më 7, 8, 9 dhe 10 dhjetor në hapësirën e kinemasë “Jusuf Gërvalla” në Pejë
 

Organizata “Anibar” në fillimet e saj, para 11 vjetësh besonte se animacioni mund të shërbente si një katalizator për të nxitur aktivizmin në shoqëri. Së fundmi i ka hyrë një misioni të ri. Beson se muzika mund të jetë një mënyrë e mirë për të shkarkuar energjinë. Jazzin, stilin që nisi të zhvillohej në fund të shekullit XIX dhe në fillim të shekullit XX po shihet si i duhuri për diçka të tillë.

Organizata e cila vepron në qytetin perëndimor të Kosovës – organizatore e njërës prej ngjarjeve kryesore në skenën kosovare dhe jo vetëm, festivalit ndërkombëtar të filmit të animuar, “Anibar” – ka paralajmëruar themelimin e “Peja Jazz”. Është menduar që të jetë një seri koncertesh që do të mbahen më 7, 8, 9 dhe 10 dhjetor në hapësirën e kinemasë “Jusuf Gërvalla” në Pejë.