Kulturë

Ramë Lahaj: “Për ty Atdhe” ia kisha borxh Tiranës e Shqipërisë

Ramë Lahaj: “Për ty Atdhe” ia kisha borxh Tiranës e Shqipërisë
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, të dielën ka pritur tenorin e njohur Ramë Lahaj. Teksa e ka falënderuar ripërpunimin që ia ka bërë të famshmes “Për ty Atdhe” ia ka dhuruar atij diskun me 100 këngë realizuar për 100-vjetorin e Tiranës. Lahaj ka thënë se versionin që ia ka bërë këngës së njohur e kishte për borxh. “Tiranës dhe Shqipërisë ia kam pasur për borxh, sepse talenti im ka dalë në pah nga Shqipëria, Tirana”, ka thënë ai
 

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, priti në një takim tenorin e mirënjohur nga Kosova, Ramë Lahaj, i cili me rikompozimin e këngës “Për ty atdhe”, ka sjellë një dhuratë të çmuar për mbarë kombin shqiptar në këtë përvjetor të Pavarësisë së Shqipërisë. Ky 29 nëntor e ka gjetur kryebashkiakun e Tiranës, Veliaj, në një takim me këngëtarin lirik i cili ka interpretuar në skenat më të mëdha operistike botërore. Si falënderim për ripërpunimin e këngës “Për ty Atdhe”, Veliaj ia dhuruar Lahajt LP-në “Tirana – Tirona” realizuar në 100-vjetorin e kryeqytetit shqiptar, ndërsa tenori u shpreh se e kishte detyrë e borxh.

“Të jemi shumë mirënjohës! Është një dhuratë fantastike, shpirtërore, që frymëzon po aq. Të falënderoj dhe jam i sigurt që flas edhe në emër të kryetarëve të Prishtinës dhe Prizrenit, sepse besoj që në kohë të tilla, kemi nevojë për inkurajim, forcë dhe optimizëm. Na bën shumë krenarë”, ka thënë kryebashkiaku Erion Veliaj, teksa ia ka dhuruar LP-në, një bashkëpunim me BBC, ku janë përfshirë këngët më të vjetra dhe më të dashura në një shekull.