Kulturë

Shtatorja e Adem Jasharit në rimodelim, ajo e Skënderbeut pret komision

Shtatorja e Adem Jasharit në rimodelim, ajo e Skënderbeut pret komision
Tri ditë pas inaugurimit, për shtatoren e Adem Jasharit në qendrën tregtare në Prizren është marrë vendim që të tërhiqet prej aty. Do të rimodelohet e ata që e kanë porositur, shpresojnë që versioni tjetër do të pëlqehet nga qytetarët
 

Pas reagimeve të vrullshme për shtatoren e Adem Jasharit, i prerë ka qenë vendimi i menxhamentit të qendrës tregtare që e ka porositur dhe vendosur atë: Do të hiqet prej aty dhe do të rimodelohet. Për atë të Skënderbeut, Komuna e Prizrenit do të themelojë një komision vlerësues, i cili do ta ketë për detyrë të sjellë një raport këshillues se si duhet vepruar me shtatoren, dhe çka duhet bërë me të

Prishtinë, 30 nëntor –  Reagimet e shumta e fakti se shtatorja e Adem Jasharit është punuar nga një frizer kanë bërë që ajo të mos qëndrojë në Prizren më shumë se tri ditë. Të shtunën u vendos e sot (e martë) pritet të largohet nga hapësira e qendrës tregtare “Abi Çarshia”. Porositësit do ta dërgojnë për rimodelim. Në anën tjetër, për shtatoren e Gjergj Kastriotit – Skënderbeu do të themelohet një komision vlerësues. Kësisoj, të dyja shtatoret e inauguruara më 28 nëntor në Prizren janë kontestuar, pos tjerash, edhe nga autoritetet komunale.