Kulturë

Opozita në Prizren kritikon shtatoren e Skënderbeut, kërkon të përsosurën në art publik

Opozita në Prizren kritikon shtatoren e Skënderbeut, kërkon të përsosurën në art publik
Katër ditë pas kritikave të shumta, PDK-ja është kujtuar për shtatoren e Skënderbeut në Prizren. Deputetëve Eliza Hoxha e Shaqir Totaj u ka shërbyer për fillimin e kritikave ndaj kryetarit të kësaj komune. Ndër të tjera, në konferencën për media është thënë se për të pasur besimin e qytetarëve, arti publik duhet të synojë të përsosurën
 

Për Partinë Demokratike të Kosovës, sikurse shtatorja e Gjergj Kastriotit-Skënderbeu, ashtu edhe vendi ku është vendosur në Prizren, janë të papranueshme. Nënkryetari i kësaj partie, Shaqir Totaj, dhe deputetja Eliza Hoxha në një konferencë për media të martën në Prizren kanë kritikuar qeverisjen lokale për qasje jo të mirë në raport me shtatoren e Skënderbeut.

Por reagimet e këtij subjekti politik kanë ardhur katër ditë pas përurimit të shtatores dhe pas vendimit të Komunës që ajo të vlerësohet nga një komision. Totaj e Hoxha nuk kanë përmendur fare shtatoren e Adem Jasharit, e cila është përuruar në të njëjtin ditë me atë të Skënderbeut. Ajo e Adem Jasharit është larguar nga qendra tregtare ku po qëndronte. E pronari i atij kompleksi është bashkëpartiak i dyshes Totaj e Hoxha.