Kulturë

Kur Kërçova rrëzoi bustin e mbretit Petar dhe lartësoi Skënderbeun

Kur Kërçova rrëzoi bustin e mbretit Petar dhe lartësoi Skënderbeun
Nga e majta: Mësueset nga Shqipëria që shërbenin vullnetarisht në shkollat e Kërçovës: Teomida Rapo, Artemisa Haxholli dhe Antoneta Sharko, para bustit të Skënderbeut punuar nga Odhise Paskali, inauguruar më 28 Nëntor, 1941
 

Këtu e 79 vjet më parë, më 28 nëntor 1941, shqiptarët e Maqedonisë do të kishin për herë të parë bustin e Gjergj Kastriotit-Skënderbeu. Në rrethanat që pasuan bashkimin e një pjese të madhe të Kosovës, si dhe disa qyteteve shqiptare të Maqedonisë Perëndimore me “Mbretninë e Shqipnisë”, disa prefektura, siç quheshin zyrtarisht pushtetet lokale të kohës, filluan përpjekjet për të spikatur elementin shqiptar në “tokat e lirueme”.

Sipas një dokumenti të kohës, të ruajtur në Arkivin Qendror të Shtetit, nënprefektura e Kërçovës, me rastin e Ditës së Flamurit, do të rrezonte bustin e mbretit serb Petar dhe do ta zëvendësonte atë me “Skënderbeun” e punuar nga Odhise Paskali.