Kulturë

Albumet e Dua Lipës dhe të Ermonela Jahos në top-incizimet e vitit

 

Gazeta britanike “The Sunday Times” ka bërë të ditur listën me 100 incizimet më të mira për këtë vit. Nuk mungojnë artistet shqiptare. Dua Lipa radhitet në vendin e tretë me albumin e saj “Future Nostalgia”, ndërsa lista plotësohet edhe me albumin “Anima Rara” të sopranos Ermonela Jaho

Prestigjiozja britanike “The Sunday Times” ka listuar 100 incizimet më të mira të këtij viti. Mozaiku i listës që përfshin zhanre të ndryshme të muzikës plotësohet edhe me këngëtaret shqiptare që po bëjnë bujë nëpër botë. Dua Lipa radhitet e treta me “Future Nostalgia”, albumin që erdhi si inspirim nga diskoja tek vjen si nostalgji për vitet ’70. Krejt në tjetër zhanër vjen “Anima Rara” i sopranos Ermonela Jaho, i cilësuar si një kombinim elektrizues dhe i larmishëm i muzikës klasike.

“Nga albumi indie-rock i Phoebe Bridgers te rikthimi në disko i Dua Lipës, kritikët tanë të muzikës kanë zgjedhur incizime që u kanë ndihmuar gjatë vitit”, ka shkruar “The Sunday Times” para se të vazhdojë me listën për 100 incizimet më të mira të këtij viti.