Kulturë

Shaip Beqiri, laureat i çmimit “Esad Mekuli”

Shaip Beqiri, laureat i çmimit “Esad Mekuli”
Edicioni i njëmbëdhjetë takimeve letrare “Esad Mekuli” i është dedikuar poetit dhe publicistit gjilanas Zejnullah Halili, i njohur më shumë si krijues në fushën e letërsisë për fëmijë
 

 

Anëtarë të Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës u bënë bashkë pas një kohe të gjatë për ta zhvilluar edicionin më të ri të takimeve letrare që mbajnë emrin e shkrimtarit Esad Mekuli. Në një ceremoni ku të gjithë bënin kujdes duke respektuar masat anti- COVID-19, të pranishmit e këtij takimi që u mbajt të enjten në bibliotekën “Pjetër Bogdani”, kanë ndjekur ndarjen e shpërblimeve. Poeti e publicisti Shaip Beqiri është shkrimtari laureat i çmimit kryesor “Esad Mekuli”. Ai nuk ishte i pranishëm për ta pranuar këtë çmim, pasi ka vite që jeton në diasporë. Po ashtu janë ndarë edhe çmimet, “Bardi I” të cilin e ka marrë poeti Mikel Gojani me librin “Vetmia”, “Bardi II” për librin “Qytetit tim, Lezhës” të Bruna Përvathit dhe “Bardi III” për “Plagë e hapur”, të poetit Turan Spahiu. Vlerësimet i ka bërë juria në përbërje të Xheladin Mjekut, Faik Xhanit dhe Ermira Jusufit, ashtu sikurse edhe për punimin “Për ty poet” të Nijazi Kastratit, botim i Institutit Albanologjik të Prishtinës.