Kulturë

Diskursi eseistik për kulturën shqiptare në opusin krijues të Basri Çapriqit

Diskursi eseistik për kulturën shqiptare në opusin krijues të Basri Çapriqit
Basri Çapriqi (15 janar 1960 – 14 janar 2018)
 

Trajtimi i çështjeve që kanë të bëjnë me opusin krijues, për autorë të ndryshëm paraqet obligim profesional që mund të trajtohet në shumë aspekte, varësisht prej qasjes së autorëve përkatës. Në rastin konkret, Basri Çapriqi te opinioni shqiptar është i njohur si poet, sepse si i tillë ishte i veçantë dhe vlerësohej nga kritikët e kohës, por nuk duhet harruar se ai ka dhënë një kontribut me peshë edhe në fushën e eseistikës, sidomos në dekadën e parë të veprimtarisë së tij krijuese.

Esetë e shkruara kanë trajtuar aktualitetin në botën shqiptare në periudhën e thyerjeve të mëdha shoqërore dhe ideologjike dhe janë botuar kryesisht në revistën “Fjala”, e cila ishte prestigjioze jo vetëm në Prishtinë por në hapësirën mbarëkombëtare, duke mbetur model për kohën kur janë shkruar e botuar. Andaj, edhe analiza e atyre eseve duhet trajtuar në varshmëri të kohës, por ndonëse kanë kaluar rreth tridhjetë vjet nga botimi i tyre, kanë vlerën e tyre edhe në kohën tonë.