Kulturë

Kompozitori Ardian Halimi, me hap drejt karrierës ndërkombëtare

Kompozitori Ardian Halimi, me hap drejt karrierës ndërkombëtare
Një tingull i pezulluar ka një dimension hapësinor në të cilin lëviz, së shpejti afrohet, zhduket pothuajse në një distancë të madhe dhe përsëri grumbullohet në një kompaktësi. Zhurma dhe tinguj të tjerë, pëshpëritin përreth dhe pushtojnë gjithnjë e më shumë terren dhe realitetin në hapësirën e heshtur”, ka thënë kompozitori Ardian Halimi për veprën e tij të re
 

Vepra "Stille flüstert um uns beide" (Heshtja pëshpërit përreth ne të dy) e kompozitorit kosovar, Ardian Halimi, do të interpretohet nga Filarmonia e Radios gjermane në Saarbrücken, nën drejtimin e dirigjentit Manuel Nawri. Këtë vepër të realizuar në vitin e koronavirusit, ia ka kushtuar bashkëshortes së tij, sopranos se njohur Elbenita Kajtazi

Kur pandemia mbylli njerëzit në shtëpi, shumë artistë e shfrytëzuan atë kohë për të realizuar vepra të ndryshme. Në mesin e tyre ishin edhe kompozitorët. Iu përveshën punës për të bartur në partiturë ndjenjat dhe emocionet e tyre karshi situatës, vitit pandemik. Kështu veproi edhe kompozitori kosovar Ardian Halimi, i cili jeton në Gjermani. Kompozoi një vepër të cilën ia dedikoi, bashkëshortes së tij, sopranos së njohur Elbenita Kajtazi. Të njëjtën dëshiroi që ta ndante edhe me të tjerët, pasi që sipas tij, ajo paraqet edhe një realitet kohor. Kjo e shtyu që ta dërgonte për t’u luajtur në edicionin e 12-të të “Masterkursit të kompozitorëve në Saarbrücken” që organizohet nga Filarmonia e Radios Gjermane në Saarbrücken, Radio Saarland dhe nga Universiteti i Muzikës në Saarland. Në mesin e veprave që u përzgjodhën në këtë masterkurs është edhe vepra e kompozitorit kosovar nga Vushtrria.