Kulturë

“Balkan Trafik” në Kosovë për dokumentimin e mozaikut kulturor

“Balkan Trafik” në Kosovë për dokumentimin e mozaikut kulturor
Ekipi i “Balkan Trafik” në Lubinjë të Poshtme afër Prizrenit, duke dokumentuar atë që njihet si teleisja e nuses, pikturimi unik i fytyrës, i cili mori edhe vëmendjen ndërkombëtare vite më parë, e që sipas disa studiuesve është traditë që i ka rrënjët qysh prej ilirëve. Në foto: Producenti Nicolas Wieërs dhe Aziza Sefitagiq, njëra prej më të njohurave për teleisje
 

Ekipi i festivalit që sivjet shënon edicionin e 15-të, e që zanafillën e ka prej impresionimit nga vizita në Kosovë e nga diversiteti kulturor që gjetën këtu, është rikthyer me një tjetër mision. Ka nisur realizimin e serisë së dokumentarëve, e Kosova është stacioni i parë. Nëpërmjet dokumentarit synohet të përthekohet mozaiku kulturor e lidhja e tradicionales me modernen, por jo vetëm

Prishtinë, 18 janar - Nicolas Wieërs nga Belgjika, të ftohtin e mesjanarit po e përjeton në Kosovë e për ta “luftuar” atë i shërben shalli me ngjyrë kuq e zi. Aty shkruhet “Kosova”. Kur flet për të, me entuziazëm e heq nga qafa për ta treguar. Ky është veç një element që tregon dashurinë e tij për kulturën shqiptare dhe shtetin më të ri në Evropë. Këtë shall e kishte marrë dhuratë para 17 vjetësh në Kosovë e është një ndër gjërat që e ruan me goxha fanatizëm.

Nicolas Wieërs është producent artistik i festivalit “Balkan Trafik”, që mbahet tash e 15 edicione në Belgjikë duke bërë që atje të dëgjohet muzika shqipe dhe të vallëzohet me të. Vizita në Kosovë para shumë vjetësh e kishte bindur që ta nisë këtë festival për të shpalosur kulturën e shqiptarëve bashkë me atë të popujve të tjerë të Ballkanit.