Kulturë

Albumi i Ermonela Jahos merr çmimin që cilësohet “Oscar” në muzikë klasike

Albumi i Ermonela Jahos merr çmimin që cilësohet “Oscar” në muzikë klasike
“Karizma e saj dhe aftësia për ta prekur publikun, simpatia emocionale te dëgjuesi, e bëjnë të veçantë të kënduarit e saj magjepsës, që përfiton nga një timbër fort karakteristik dhe i dallueshëm”, është vlerësimi që juria e International Classical Music Awards ia ka bërë Ermonale Jahos, kur e ka vlerësuar albumin e saj “Anima Rara”
 

“Anima Rara” i sopranos Jaho është konfirmuar si vepër e jashtëzakonshme, duke triumfuar në kategorinë e muzikës vokale në International Classical Music Awards, që, siç shkruhet në ueb-faqen zyrtare të çmimeve, konsiderohet “Oscar” në fushën e incizimeve të muzikës klasike

Në pesë muaj e fundit, sa herë që është diskutuar për albumet me të mira të muzikës klasike, është përmendur edhe “Anima Rara” i sopranos shqiptare Ermonela Jaho. Kështu ndodhi edhe të mërkurën, kur u ndanë International Classical Music Awards (Çmimet Ndërkombëtare të Muzikës Klasike).

Albumi i sopranos shqiptare u shpërblye si më i miri në kategorinë dedikuar muzikës vokale (“Vocal music”). Jaho u vlerësua për mënyrën e veçantë të këndimit të 14 veprave, nëpërmjet të cilave në albumin e saj eksploron muzikën e mjeshtëruar nga sopranoja italiane Rosina Storchio. Jaho triumfoi në atë që konsiderohet si “Oscari” në botën e incizimeve të muzikës klasike.