Kulturë

Cimerat e 509-shes

Cimerat e 509-shes
Viti akademik 1970-71 në konviktin e parë të qendrës studentore në katin e pestë, dhoma numër 509, me dy shtretër. Në rendin e sipërm: Xhemaledin Salihu, student i Fakultetit Filozofik, Dega e Pedagogjisë. Rendi i poshtëm nga majta: Rexhep Ismajli, student i Fakultetit Filozofik, Dega e Gjuhës dhe e Letërsisë Shqipe, Riza Halimi, student i Fakultetit Filozofik, Dega e Fizikës dhe Ibrahim Rugova, student i Fakultetit Filozofik, Dega e Gjuhës dhe e Letërsisë Shqipe
 

Në janarin e vitit 2014, “Koha Ditore” kishte sjellë rrëfimin për dhomën 509 të konviktit nr. 1, që lidhet edhe me emrin e Ibrahim Rugovës si student. Disa prej cimerëve të tij, do ta ndanin rrëfimin për ditët studentore

Prishtinë, 23 janar 2014 - Askush nuk u përgjigjet tri-katër trokitjeve tak-tak në derën e bardhë të dhomës 509. Në 508-shen derën e hap Ardit Bukoshi, në pizhame. Libra e fletë të bardha A-4 ishin shpërndarë në tavolinën e dhomës me dy shtretër të brucoshit të Fakultetit të Ndërtimtarisë. Biondi shtatgjatë thotë se “cimerat” e 509-shen kanë vendosur të ndërrojnë dhomat me disa studentë të kateve të mëposhtme. Ndërrimet e vendeve janë të zakonshme në mesin e studentëve të konviktit numër një në qendrën studentore.

“Ua, fantazi!” reagon Bukoshi, kur i tregohet se në 509-shen kishte banuar presidenti i ndjerë, Ibrahim Rugova, në fund të viteve gjashtëdhjetë dhe në fillim të viteve shtatëdhjetë. Menjëherë merr celularin që t’i thërrasë banuesit e dhomës ngjitur. Bisedën telefonike e zhvillon teksa qëndron në këmbë në shtratin e anës së djathtë.