Kulturë

Mira Furlan – një jetë për skenën dhe tolerancën

Mira Furlan – një jetë për skenën dhe tolerancën
 

Me rastin e vdekjes së aktores kroate Mira Furlan (1955-2021).

Shumë njerëzve në Ballkanin perëndimor, më saktë në viset e ish-Jugosllavisë, emri i Mira Furlanit u thotë diçka dhe shumëçka. Furlan ka qenë njëra prej aktoreve më të mira të hapësirës së Jugosllavisë. E lindur më 1955 në Zagreb në një familje liberale kroate, ajo shkëlqeu në shumë skena teatri dhe në shumë role filmash, ajo ishte yll i kinematografisë, e adhuruara e mediave dhe e shikuara syhapur sidomos nga burrat prej Trigllavit të Sllovenisë deri në Gjevgjeli të Maqedonisë (sot veriore), përfshirë, natyrisht, edhe Prishtinën e viteve 70-të dhe 80-të, kur Zagrebi për shumë të rinj dhe të tjerë nga Kosova ishte pak më shumë se qytet, ishte qendër kulturore dhe arsimore si dhe vatër debatesh e angazhimesh politike.

Mira Furlan ishte versioni jugosllav i Sophia Lorenit dhe Brigitte Bardot. Edhe në vitin 2018, kur Mira Furlan, tashmë mbi 60-vjeçare, shëtiste nëpër qendër të Zagrebit, sharmi i saj tërhiqte shikimet e fotografëve dhe kalimtarëve. Mediat bulevardeske të hapësirës jugosllave e quanin “seks-simbol të Jugosllavisë”, “ëndërr të shumë burrave”. Këto etiketa me gjasë nuk i kanë bërë shumë përshtypje Mira Furlanit. Ajo dy gjëra i çmonte më së shumti në jetë: aktrimin dhe tolerancën.