Kulturë

Murali në Filozofik drejt zhdukjes – alarm për qasjen ndaj artit

Murali në Filozofik drejt zhdukjes – alarm për qasjen ndaj artit
Muri i Fakultetit Filozofik nuk ka më vend për “Çikat e shpisë” të artistit Case Maclaim. Punimet që e zhdukin atë kanë nisur
 

Ani pse bëhet fjalë për vepër të njërit nga pionierët e “street artit” në botë, e vetmja që ka realizuar në Ballkan, për muralin e Case Maclaim s’ka vend në Prishtinë. Një shtresë bazë e ngjyrës tashmë i është dhënë, e skelet janë gati për punimet që do ta mbulojnë tërësisht. Krejt kjo po bëhet për projektin e izolimit të fasadës së objektit të Fakultetit Filozofik. Komuna e Prishtinës e cila vetë ka dhënë leje për realizimin edhe të projektit edhe të muralit, është e ndarë në dysh nëse duhej ruajtur vepra. Për komunitetin artistik një qasje e tillë është alarm për qasjen ndaj artit në hapësira publike

Që nga qershori i vitit 2019 kushdo që kalonte nga Fakulteti Filozofik e ai Filologjik ndeshej me një imazh goxha të fuqishëm. Në kuadër të edicionit të pestë të “Guerilla Art Festival”, me moton “Çikat e shpisë”, artisti i njohur gjerman Case Maclaim kishte qëndruar në Kosovë për të realizuar këtë vepër artistike e cila qëndroi aty jo më shumë se një vit e gjysmë. Kjo, pasi që në Fakultetin Filozofik punimet për izolimin e objektit e kanë dëmtuar goxha muralin, duke dhënë “alarmin e fundit” që së shpejti do të largohet prej aty.

Tashmë janë vendosur skelet dhe anash ka filluar intervenimi me stiropor. Punimet në Fakultet janë duke u kryer në kuadër të projektit për Efiçiencë të Energjisë dhe Energji të Ripërtërishme në Kosovë, që është investim i Bankës Botërore me vlerë 98 mijë eurosh. Organizatorët e festivalit “Guerilla Art Festival”, dëmtimin e muralit e quajnë si një akt të shëmtuar dhe që me këtë veprim janë sulmuar e mohuar vlerat e komunitetit artistik. Derisa murali është realizuar në kuadër të festivalit “Guerilla Art Festival” që është projekt i Bashkimit Evropian, ai është përkrahur edhe nga Komuna e Prishtinës dhe ka qenë pjesë e aktiviteteve për 20-vjetorin e Çlirimit. Drejtoria e Urbanizmit në korrik të vitit 2019 kishte dhënë lejë për zhvillimin e punimeve në renovimin e ndërtesës së Universitetit të Prishtinës, duke përfshirë edhe Fakultetin Filozofik, ndërsa Drejtoria e Kulturës thotë se është e dhimbshme që ky mural po mbulohet por në anën tjetër, theksojnë se duhet të mos humbet projekti për Efiçiencë të Energjisë dhe Energji të Ripërtëritshme në Kosovë.