Kulturë

Institucionet kulturore pa drejtorë, konkurset dështojnë e pezullohen shkaku i “zgjedhjeve e pandemisë”

Institucionet kulturore pa drejtorë, konkurset dështojnë e pezullohen shkaku i “zgjedhjeve e pandemisë”
Me qëllim të ruajtjes së integritetit të procesit së rekrutimit dhe eliminimit të dilemave të mundshme, meqenëse jemi në një periudhë elektorale, Këshilli Drejtues i TKK-së, bazuar në analizën e bërë përkitazi me këtë çështje, si dhe bazuar në dispozitat e Ligjit për procedurën e përgjithshme administrative, mori vendim për pezullimin e procedurave të rekrutimit”, shkruhet në njoftimin e Ministrisë së Kulturës
 

Teatri Kombëtar i Kosovës, Baleti Kombëtar dhe Galeria Kombëtare e Kosovës do të vazhdojnë të mbesin pa drejtorë e me ushtrues detyre. Për të parin institucion, konkursi për drejtor të përgjithshëm e udhëheqës artistik është pezulluar. Arsyetimi: zgjedhjet parlamentare dhe situata me pandeminë. Për drejtor Galerie e për Balet konkurset janë anuluar edhe zyrtarisht. Për të dyja rastet s’ka tre kandidatë në garë që i plotësojnë kriteret

Këshilli Drejtues i Teatrit Kombëtar të Kosovës dhe Ministria e Kulturës kanë marrë një vendim të pazakontë: kanë pezulluar procesin e rekrutimit për dy pozitat udhëheqëse në institucionin teatror. Ky vendim ka ardhur vetëm një ditë pasi Shoqata e Artistëve të Teatrit të Kosovës ka kërkuar anulimin e konkursit për “drejtor artistik”, duke marrë për bazë faktin se MKRS-ja në konkurs ia ka huq emrit të kësaj pozite. Ministria e Kulturës ka publikuar edhe vendimet për anulimin e konkurseve për drejtorë të Baletit Kombëtar të Kosovës dhe Galerisë Kombëtare të Kosovës.

Në mbrëmjen e së martës MKRS-ja ka dalë me një njoftim konfuz sa u përket konkurseve për pozitat në Teatrit Kombëtar të Kosovës. Titullohet “Njoftim për anulimin e procedurave të rekrutimit”, kurse në përmbajtje ka pezullimin.