A nuk është kohë e largët kur kishte një diskutim të ndershëm mbi atë se pse ka kaq shumë filma për Holokaustin? Pa dyshim se disa përmbushin sfidën që paraqet urdhri “kurrë mos harro”, por shumë të tjerë ekzistojnë për shkak se tregu ka dëshmuar që Holokausti shitet.
Filmat që bien në këtë kategorinë e fundit trivializojnë po aq sa sensacionalizojnë, duke u rënë telave të zemrës me një hark sipërfaqësor, kordhat e të cilit purteken mes ngjyrave të ndezura dhe sheqerosjes.
Një set brenda këtij grupi mpleks gjakimet më ngatërrestare në të kuptuarit e tyre cinik të tregut, duke e përdorur “Shoah” për të shtyrë agjenda që pak kanë të bëjnë me përkapjen e të papërfytyrueshmes.
Është një dëshmi e frikamanisë së industrisë së Holokaustit që një copëz e hapur e propagandës nacionaliste serbe, sikur ajo e Peter (Predrag) Antonijeviqit “Dara of Jasenovac”, e veshur me petkat e një kampi të përqendrimit, shpërndahet jashtë tokës së vet amtare. Më pak befasuese është që ajo është dorëzuar për t’u marrë në konsideratë nga “Oscar”.
Le të nisim nga faktet: qeveria fashiste kroate gjatë Luftës së Dytë Botërore, ustashët, ishin banditë vrastarë të mbështetur nga anëtarë të fuqishëm të Kishës Katolike. Të shquar me sadizmin e tyre të pashpirt, ustashët shënjestruan serbët ashtu sikundër edhe hebrenjtë dhe romët, duke e modeluar veten si aleat të nazistëve dhe duke propaganduar politika “ne karshi atyre”, rrënjët e helmëta të të cilave u rishfaqen me tërë egërsinë gjatë shpërbërjes së Jugosllavisë në vitet ‘90.
Po kaq i pamohueshëm, kompleksi i Jasenovacit ishte famëkeq mes kampeve të vdekjes me mizorinë gjakderdhëse të komandantëve dhe vartësve të tyre. Rreth 80 mijë të burgosur, kryesisht serbë, u vranë mes viteve 1941 dhe 1945, dhe sado që emri ka një vend të rëndësishëm në psikikën serbe, ai nuk ka qenë asnjëherë në fokus të një filmi fiksioni.
Asgjë nga këto më sipër nuk vihen në dyshim, dhe vetëm dikush që është mangut nga etika do të thoshte se ka pasur “njerëz të mirë” në të dyja anët. Bërësit e “Dara of Jasenovac” theksojnë se skenari vjen nga dëshmitë e atyre që i përjetuan këto, duke i përdorur deklaratat e vlefshme për ta mbrojtur veten nga kritikat: ka ndodhur dhe prandaj ne jemi mbi qortimet.
Sidoqoftë, problemet me filmin janë të dyfishta: nativizmi i tij antikroat dhe antikatolik është sajuar guximshëm si një ushqim zjarrvënës për përplasjet e tashme mes Serbisë dhe fqinjëve të saj, derisa kënaqësia e tij në pamëzimin e sadizmit, në kundërvënie me pafajësinë e fëmijërisë, e anashnxjerr çdo përsiatje mbi rreziqet e nacionalizmit, racizmit vrastar dhe gjenocidit, duke i zëvendësuar ata me ndjesime të lira e sentimente.
Është një dëshmi e frikamanisë së industrisë së Holokaustit që një copëz e hapur e propagandës nacionaliste serbe sikur ajo e Peter (Predrag) Antonijeviqit “Dara of Jasenovac”, e veshur me petkat e një kampi të përqendrimit, shpërndahet jashtë tokës së vet amtare. Më pak befasuese është që ajo është dorëzuar për t’u marrë në konsideratë nga “Oscar”
Filmi hapet me familjet që marshojnë drejt makinave të gjësë së gjallë dhe 10-vjeçarja Dara Iliq (Biljana Çekiq) që ia kërkon vëllait të saj të madh, Jovo (Marko Pipiq), psenë e mosgrumbullimit të fqinjëve kroatë për shkak se ata duken të njëllojtë. Burrat e fortë ishin marrë pak më herët, duke e lënë nënën e kalamajve Nada (Anja Staniq Iliq) të vetme për t’u kujdesur për të birin buzëqumësht, Bude. Në stacionin e mbushulluar me svastika, ati Miroslav Filipoviq-Majstoroviq (Vuk Kostiq) izolon të sëmurit dhe pleqtë, dhe teksa treni largohet Dara sheh me sytë e saj se si prifti ftohtësisht qëllon me armë zjarri ata që kanë ngelur pas.
Fill pas arritjes së të burgosurve në Jasenovac, komandanti i kampit Maks Luburiq (Marko Janketiq) organizon një “zbavitje” për një oficer nazist që qëllon aty për vizitë: shkallë muzikore, në të cilat kushdo që nuk gjen një ulëse përfundon i prerë në fyt nga zyrtari i kampit Ante Vrban (Igor Gjorgjeviq) që përdor një makinë lemeritëse. Derisa Dara sheh kasapin, gjysmëmotra e Maksit, Nada (Alisa Radakoviq), bëhet aq e ngashënjyer seksualisht nga ploja, saqë ajo dhe burri i saj Dinko Shakiq (Petar Durdiviq) hyjnë në një veturë, ku klimaksi i saj sinkronizohet me vrasjet e Antes. Subtiliteti nuk është më e mira e regjisorit.
Të nesërmen Nada dhe Jovo qëllohen për vdekje, por jo para se të skalisë te Dara nevojën për të qëndruar e fortë dhe për t’u kujdesur prore për vëllain e saj kërthi. Fatmirësisht vajza merret në krahët e të burgosurës hebraike, Blankica (Jelena Grujçiq), që bën çmos për ta mbrojtur atë dhe Buben nga rojat dhe murgesha fytyrë-sëpatë (Tatjana Kecman), mizoria e së cilës barabitet me atë të zyrtarëve të kampit. I panjohur për secilin, i ati i fëmijëve Mile (Zlatan Vidoviq) është në kampin tjetër të vdekjes, në Gradina, që tok me një të burgosur hebre është i ngarkuar të zhvendosë trupat e të vdekurve.
Po të mos kishte një kontekst bashkëkohës të “Dara of Jasenovac”, filmi do të ishte një tjetër dramë e pamoduluar e Holokaustit që e përdor dhunën në të njëjtën mënyrë siç bëjnë edhe filmat e tjerë për vrasësit serikë. Por prapavija është e pashmangshme, dhe, në këtë rast, përdorimi i Jasenovacit nga nacionalistët serbë si një grishje për viktimizimin serb ndër shekuj e kthen filmin në propagandë.
Studiuesi Jovan Byford ka vënë në dukje me zgjuarsi se si lidhja e vuajtjeve serbe me Shoah ka qenë prej kohësh një rreng për të marrë simpati ndërkombëtare dhe për të legjitimuar zgjerimin territorial bashkë me politikat raciste, dhe kjo është pikërisht ajo me të cilën loz edhe “Dara”.
Përveç kësaj, vendosja e shtëpisë së familjes Iliq në Mirkovc është për të kënaqur brigadat antikroate duke pasur parasysh faktin që qyteti mbetet një vend i hidhur përplasjesh pas shpërbërjes gjenocidale të Jugosllavisë. Një film i Holokaustit që është ndrequr ashtu sa për të nxitur armiqësi kundër gjermanëve sot do të dënohej gjerësisht; të mos shohësh këtu të njëjtat probleme është të bësh me dashje qorrin.
Prej viteve ’90 deri në dekadën e fundit, Antonijeviq ka bërë disa filma në anglisht (“Savior”, “Little Murder”) dhe teknikisht “Dara” është një standard i bërë si mos më mirë, i montuar sa për të përfshirë shumicën e xhirimeve me dronë të kampit dhe fokusimin nga afër të fytyrave të fëmijëve. Duke përfshirë skenat e fantazisë së njerëzve të sapovrarë, gra dhe fëmijë që vijnë gjatë stuhisë me një makinë kafshësh për t’iu bashkuar viktimave të tjera është bërë ashiqare për të dhënë një prekje paqendjellëse të surrealizmit magjik, por që duket banale.
Marrë nga “Variety”. Përktheu: Salih Mehmeti
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.