Kulturë

Malcolm për “Velika seoba” – “Tërësisht mit”

Malcolm për “Velika seoba” – “Tërësisht mit”
Në një ligjëratë online të organizuar pasditen e së dielës nga Instituti Shqiptar i New Yorkut, pjesë e së cilës ishin edhe ish-gjenerali Wesley Clark, si dhe figura të njohura të komunitetit shqiptaro-amerikan, historiani e akademiku Noel Malcolm ka folur për librin e tij më të ri për historinë shqiptare
 

Akademiku dhe historiani britanik Noel Malcolm ka folur të dielën për librin e tij të sapobotuar që, me dymbëdhjetë studime, trajton historinë shqiptare prej shekullit të pesëmbëdhjetë e deri në ditët tona. Në një ligjëratë online të organizuar nga Instituti Shqiptar i New Yorkut, pjesë e të cilit ishte edhe ish-gjenerali amerikan në pension Wesley Clark, ai ka bashkëbiseduar me publikun shqiptar për aspekte të veçanta të historisë. “Për shqiptarët ka pasur gjithnjë pak informacione”, ka thënë, mes të tjerash, Malcolm

Për dikë që jetonte e studionte në botën universitare të Cambridgeit, njohja e gjuhëve të Evropës Juglindore ishte një luks që mund t’i lejohej vetes. Në qytetin universitar anglez mjaftonte shkëndija e parë e interesimit që të zgjidhje një kurs për greqishten e re, turqishten, rumanishten apo serbokroatishten. Si i ri, Noel Robert Malcolm do të namatisej nga ngjitja e maleve në Ballkan. Por një mendje të etur për dije nuk mund t’i bishtnohej dot pyetja: pse bota shqiptare përbente një zbrazëtirë në njohjen perëndimore për Ballkanin?

Me një evokim të këtillë nga vitet ’80 e ‘90, historiani e studiuesi anglez Noel R. Malcolm të dielën ka bashkëndarë për publikun shqiptar fillimet e interesimeve të tij për shqiptarët.