Kulturë

Një histori e Zotit nga fillet e monoteizmit deri sot

Një histori e Zotit nga fillet e monoteizmit deri sot
“Një histori e Zotit: Studim për 4 mijë vjet histori të Judaizmit, të Krishterimit dhe të Islamit” nga Karen Armstrong, ndër të tjera, argumenton se në kohën e lashtë të patriarkëve, besimi kishte kuptimin e mirëbesimt, domethënë, me i zënë besë dikujt, dhe jo miratimit intelektual të një besoreje të vënë nga ndonjë autoritet fetar

Vështrim i shkurtër i librit “Një histori e Zotit: Studim për 4 mijë vjet histori të Judaizmit, të Krishterimit dhe të Islamit” nga Karen Armstrong (Albas, 2020)

 

Vështrim i shkurtër i librit “Një histori e Zotit: Studim për 4 mijë vjet histori të Judaizmit, të Krishterimit dhe të Islamit” nga Karen Armstrong (Albas, 2020)

“I shenjtë, i shenjtë, i shenjtë është Jahve, Zoti i ushtrive!”, thirrën serafinët kur prania e beftë e Zotit Jahveut mbushi Tempullin në Jerusalem, ku Isaia, një pjesëtar i familjes mbretërore të Judës, ishte duke u lutur fill pas vdekjes së Uziahut, Mbretit të Judës. Në shekullin XVIII para Epokës së Re nuk ishte e pazakonshme që zotat të zbrisnin në tokë dhe të takonin njerëzit herë pas here, ose së paku, nuk ishte e pazakonshme që njerëzit të kishin vegime të tilla, herë pas here. Për dëshpërimin e mendjes kureshtare moderne të etur për përvojë të drejtpërdrejtë ndijore, askush nuk e pa Zotin Jahve atë ditë, askush nuk e përkapi atë me shqisa, as serafinët që mbyllën sytë me flatrat e tyre, e as Isaia, shikimi i të cilit u pengua nga një tym i dendur që mbushi Tempullin.