Kulturë

Shqipëria e Turqia me marrëveshje bashkëpunimi në kulturë e trashëgimi kulturore

Shqipëria e Turqia me marrëveshje bashkëpunimi në kulturë e trashëgimi kulturore
Me një marrëveshje të përbashkët, Shqipëria dhe Turqia synojnë që të bashkëpunojnë në fushën e artit, arkeologjisë, muzeologjisë, luftës kundër trafikut të paligjshëm të objekteve të trashëgimisë kulturore, si dhe mbrojtjes së të drejtave të autorit. Nënshkrimi është bërë në shtëpinë e Zekatëve, njërit prej objekteve më karakteristike në qytetin historik të Gjirokastrës, mes ministres së Kulturës të Shqipërisë, Elva Margariti, dhe homologut të saj turk, Mehmet Ersoy
 

Ajo që kishte nisur në fillim të këtij viti me marrëveshje për restaurim të Xhamisë së Plumbit në Shkodër, është pasuar së fundmi edhe me një marrëveshje tjetër mes ministrive të Kulturës së Shqipërisë dhe asaj të Turqisë. Krejt kjo ka ndodhur jo pak kohë pas rastit kundërthënës të investimit të TIKA-s në Hamamin e Madh të Prishtinës, i cili, sipas projektit turk, planifikohej të tjetërsohej edhe në emër, duke u quajtur si “Muzeu i Hamamit të Pushtuesit”. Por për ministren e Kulturës të Republikës së Shqipërisë, marrëveshja e firmosur në Gjirokastër nuk është vetëm “për ruajtjen e trashëgimisë kulturore, por edhe në fusha të tjera të artit si kinematografi, botime, përkthime e shkëmbime kulturore”

Përvoja jo fort e mirë me autoritetet turke rreth investimeve në objektet e trashëgimisë kulturore nuk është parë si pengesë nga institucionet e shtetit shqiptar. Rreth dy javë më parë, Komuna e Prishtinës dhe Agjencia qeveritare Turke për Zhvillim dhe Rindërtim (TICA) nënshkruan memorandum bashkëpunimi për restaurimin e Hamamit të Madh të Prishtinës. Me projektin në vlerë prej 1 milion eurosh synohej “rikthimi i origjinalitetit” të objektit gati pesëshekullor. Por videot e projektit kishin bërë me dije se ai qe emëruar si “Fatih Hamami Müzesi” (në shqip “Muzeu i Hamamit të Pushtuesit”).

Fill pas raportimit të KOHËS për projektin që po tjetërsonte monumentin edhe në emër, në opinionin publik ishin ngritur shqetësime të shumta për emërtimin e ri që lidhej me emrin e sulltanit të gjysmës së dytë të shekullit 15, Mehmeti II, me emrin e të cilit lidhet pushtimi i Kostandinopojës dhe një pjese e konsiderueshme e Ballkanit Jugor.