Kulturë

Nisin shkarkimet, Teatri me Këshill të ri Drejtues

Edhe udhëheqësia e tanishme e Ministrisë së Kulturës e vazhdon praktikën e ndërrimit të organeve drejtuese. Praktikën e qeverisjeve të mëparshme e ka vazhduar edhe sa u përket emërimeve të anëtarëve partiakë në organe drejtuese të institucioneve. E ka nisur me atë të institucionit më të lartë teatror në vend
 

Dy orë para mesnatës, Ministria e Kulturës ka njoftuar se Teatrin Kombëtar të Kosovës e ka bërë me Këshill të ri Drejtues. Kësisoj, edhe udhëheqësia e tanishme e MKRS-së e vazhdon praktikën e ndërrimit të organeve drejtuese. Praktikën e qeverisjeve të mëparshme e ka vazhduar edhe sa u përket emërimeve të anëtarëve partiakë në organe drejtuese të institucioneve. E ka nisur me atë të institucionit më të lartë teatror në vend, duke shkarkuar këshillin që e kishte emëruar tash ish-ministrja e Kulturës, Vlora Dumoshi. Në përbërjen e re nuk ka vend asnjëri prej anëtarëve të përbërjes paraprake, mandati i të cilëve nuk zgjati as një vit. Qe emëruar në tetor të vitit të kaluar.

Armend Smajli, Ben Apolloni, Gresa Pallaska, Rebeka Qena, Shkurte Aliu, Visare Aliu dhe Brikena Mulliqi – si përfaqësuese e MKRS-së, janë shtatë anëtarët e emëruar prej ministrit Hajrulla Çeku.