Kulturë

Thyerje ligjesh me eksperiment artistik dhe Einsteini në mes

Pikturat e Shkamb Jakës si kombinim ngjyrash e formash përbëjnë trininë e shkencës, artit dhe të teknologjisë. E para vjen si frymëzim, e dyta si krijim, ndërkaq e treta si model fillestar pune
 

Pasionin e tij ndaj shkencës, Shkamb Jaka e ka bartur në art. Einsteini qe shkëndijë e një zhytjeje teorish ekzakte, për të dalë prej aty nëpërmjet relativitetit të artit. “Gjithmonë kam qenë i interesuar nga eksperimentet më të çuditshme dhe që i thyejnë ligjet e realitetit”, thotë Jaka. Veprat e tij nxitin kureshtjen, shtrojnë pyetje. Thënia e babait të Teorisë së Relativitetit bëhet titull ekspozite, por edhe pikënisje e një rrugëtimi paralel midis shkencës e artit

“Nëse gjithçka do të kuptohej në shikim të parë, nuk do të kishte nevojë për art e as për shkencë”, thotë prerazi artisti Shkamb Jaka dhe dëshmi e kompleksitetit dhe thellësisë së kësaj u bë ekspozita “Spooky action at a distance”, e hapur të premten në galerinë “Paper” në Prishtinë.

Për dallim nga herët e tjera, muret e kësaj galerie kumbuan me dimensione të veçanta të frymëzimit krijues.