Kulturë

Sadri Fetiu – emri me të cilin identifikohet Instituti Albanologjik

Me evokime e shpalime të kontributit të tij të vëllimshëm albanologjik, Instituti Albanologjik i Prishtinës e ka përkujtuar Sadri Fetiun nëpërmjet një mbledhjeje përkujtimore. Me një minutë heshtje paraditen e së martës, salla e mbushur përplot në katin e dytë të IAP-së ka nderuar kujtimin e studiuesit të folklorit

Plot katër dekada të jetës së tij zunë vend brenda Institutit Albanologjik, i cili u bë si familja e tij e dytë. Atë e mbrojti në orën e ligë të historisë, kur njësitë e milicisë serbe të armatosura gjer në dhëmbë mësynë për ta uzurpuar ngrehinën e IAP-së, ashtu sikurse e mbrojti atë edhe nga përpjekjet e UNMIK-ut për ta çfunksionalizuar. Sadri Fetiu, folklorist, studiues e pedagog, është një nga emrat më të shquar të studimeve albanologjike në vend. Për kolegët e tij, “kujdesi kolegial ndihej edhe si kujdes prindëror”

“Bukën time e ha vetëm me dhëmbët e mi dhe jo me dhëmbët e shtetit”. Kjo kishte qenë përgjigjja lapidare e studiuesit Sadri Fetiu përballë njësive të milicisë serbe që kishin shkallmuar dyert e Institutit Albanologjik të Prishtinës. Në fillimmarsin e vitit 1994, organet e okupimit serb kishin dhënë ultimatum që institucioni albanologjik, që ende po bënte rezistencë, të lironte objektin e vet. I rrahur barbarisht nga milicët serbë, Sadri Fetiu, asokohe 52 vjeç, ishte drejtor i Institutit Albanologjik. Por dëshmia e tij e dhënë për organizatat e huaja për të drejtat e njeriut vuri në pah para krejt botës dhunën sistematike të organeve të okupimit serb, që nuk kursenin as akademikë, studiues e punonjës shkencorë.

Pas një sëmundjeje të rëndë, në moshën 79-vjeçare, të hënën ka dhënë frymën e fundit studiuesi, mësimdhënësi e letrari, Sadri Fetiu. Në një hark që shtrihet në thuajse katër dekada angazhimi të pakëputur, Instituti Albanologjik i Prishtinës ishte “familje e dytë” për studiuesin që krijoi mbamendje te të gjithë si një koleg i dashur e intelektual i guximshëm.