Kulturë

Drejtori i Teatrit shkarkohet tërthorazi, Ministria akuzohet për diktat

Pesë ditë pasi ia ka ndërruar Këshillin Drejtues, Ministria e Kulturës ka anuluar edhe konkursin, me të cilin Naser Shatrolli u zgjodh drejtor i përgjithshëm i Teatrit Kombëtar të Kosovës

As dy muaj nuk ka zgjatur “mandati” i Naser Shatrollit si drejtor i përgjithshëm i Teatrit Kombëtar të Kosovës. Ministria e Kulturës ka anuluar konkursin e marsit, me të cilin ai u zgjodh në këtë pozitë. Këtë e ka bërë nëpërmjet vendimit të Komisionit për Shqyrtimin e Ankesave për Nëpunësit e Shërbimit Publik, i cili ka konfirmuar parregullsitë. Për këtë veprim, Ministria e Kulturës akuzohet për diktat e politizim të procesit

Fiks në ditën që ka bërë dy muaj si i zgjedhur drejtor i përgjithshëm i Teatrit Kombëtar të Kosovës, Ministria e Kulturës ka vendosur që Naser Shatrolli ta lërë këtë pozitë. E ka anuluar konkursin, nëpërmjet të cilit Shatrolli ishte vënë në krye të udhëheqjes ekzekutive të institucionit më të lartë teatror në vend. Ky vendim i MKRS-së ka ardhur pesë ditë pasi ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, ka shkarkuar ish-përbërjen e Këshillit Drejtues të TKK-së, për të emëruar shtatë anëtarë të rinj, përfshirë edhe bashkëpartiakë.

Nëpërmjet një vendimi që është protokolluar ditën e martë, Komisioni për Shqyrtimin e Ankesave për Nëpunësit e Shërbimit Publik në Ministrinë e Kulturës ka anuluar vendimin e Këshillit Drejtues të TKK-së të datës 11 mars, me të cilin Naser Shatrolli emërohej drejtor i përgjithshëm i Teatrit Kombëtar të Kosovës. Me këtë vendim, Komisioni i MKRS-së e ka aprovuar si pjesërisht të bazuar ankesën e ish-kandidatit për pozitën e drejtorit të TKK-së, Blerim Krasniqi. Edhe kandidati tjetër, Kushtrim Sheremeti, kishte bërë ankesë. Por MKRS-ja nuk i kishte shqyrtuar asnjërën prej tyre në afatin prej 15 ditëve. Ankesat ishin bërë më 18 dhe 19 mars, një javë pas zgjedhjes së Shatrollit në pozitën e drejtorit. Komisioni ishte emëruar më 26 prill. Kishte kontaktuar palët për të ditur nëse ata pas vonimit të MKRS-së në shqyrtim të ankesave kanë dërguar lëndët në institucionet e tjera. Sheremeti kishte bërë të ditur se i ishte drejtuar edhe Gjykatës, kurse Krasniqi ishte pajtuar që ankesa të shqyrtohej, meqenëse nuk kishte shkuar në shkallë të tjera.