2 perditesime
12:50

Kurti për Bogujevcin: Kënga e tij do të rrojë edhe me brezat që do të vijnë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka vendosur lule të freskëta dhe ka bërë homazhe para arkivolit me trupin e këngëtarit Ismet Bogujevci, të vendosur në hollin e Teatrit Kombëtar të Kosovës.

Këngëtari i njohur i këngës popullore shqipe, Bogujevci, vdiq një ditë më parë.

Në deklarimin para mediave pas homazheve, kryeministri Kurti ka shpalosur dromca kujtimesh nga fëmijëria dhe admirimin që kishte për këngëtarin Bogujevci. Ai tha se si fëmijë, teksa ndiqnin programin e vitit të ri në televizion, i prisnin me një mosdurim të gëzueshëm këngët e Ismet Bogujevcit dhe të Riza Bytyqit.

“Në vegjëli, se çka është martesa e mësuam prej prindërve, por edhe prej këngës ‘Martesa jonë’ të Ismet Bogujevcit. Edhe sot e kësaj dite kur e dëgjoj fjalën Kaçanik më ushtojnë veshët për shkak të vargut ‘ushton Gryka e Kaçanikut” të kënduar nga Ismet Bogujevci. E për Tefik Çangën, shumë kohë para se ta marr vesh se është emri i një fabrike të drurit në Ferizaj, dhe i një partizani të Luftës së Dytë Botërore, kam ditur ta këndoj ngapak duke e imituar Ismet Bogujevcin”, ka rikujtuar kryeministri Kurti.

Ai theksoi se këngëtari Bogujevci ishte njeri tejet i mirë dhe i dashur.

“Ashtu siç do të na mungojë fizikisht dhe do të kemi mall për të shumë kohë të gjatë, njashtu edhe kënga e tij do të rrojë jo vetëm me brezin tonë, por edhe me ata që do të vijnë”, ka thënë Kurti.

11:34

Nis ceremonia komemorative për nder të Ismet Bogujevcit

Image

Ceremonia komemorative për nder të doajenit të muzikës popullore dhe folklorit shqiptar, Ismet Bogujevci, ka filluar përmes parakalimit të veturës së funeralit nga sheshi “Zahir Pajaziti” deri te Teatri Kombëtar.

Ndërkaq, duke filluar nga ora 11:30 e deri në orën 14:00 do të mbahet mbahet ceremonia zyrtare e homazheve në Teatrin Kombëtar nga delegacionet shtetërore dhe komuniteti.

Ceremonia mortore do të bëhet në ora 16:00 në varrezat e qytetit në “Arbëri”, duke respektuar masat kundër COVID-19.

08:00

Sot i jepet lamtumira e fundit Ismet Bogujevcit

Me rastin e ndarjes nga jeta të doajenit të muzikës popullore dhe folklorit shqiptar Ismet Bogujevci, sot Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në bashkëpunim me institucionin e Ansamblit të Këngëve dhe të Valleve “Shota”, do të organizojë ceremoni komemorative.

Nga ora 11:00 – 11:15 mbahet parakalimi i veturës së funeralit përmes sheshit “Zahir Pajaziti” deri në Teatrin Kombëtar, ndërsa nga 11:30 – 14:00 mbahet ceremonia zyrtare e homazheve në Teatrin Kombëtar nga delegacionet shtetërore dhe komuniteti.

Ismet Bogujevci ishte solisti ndër dekada i Ansamblit Kombëtar “Shota” dhe i shumë shoqërive që kanë lënë nam në Kosovë dhe trojet shqiptare. Ai ka interpretuar një mori këngësh të famshme e ka pasur edhe shumë bashkëpunime. “Një lulishte”, “Kënga e Jemenit”, “Sillma erën e malit” – janë vetëm disa prej projekteve të tij të njohura.

Ceremonia mortore do të bëhet në ora 16:00 në varrezat e qytetit në “Arbëri”, duke respektuar masat kundër COVID-19./kp