Kulturë

Lamtumira me kujtime për Ismet Bogujevcin si shëmbëlltyrë e folklorit shqip

Fotot: Alban Bujari / KOHA
 

Ishte vetëm 69 vjeç, por gjallëria e afërsia e tij me njerëzit kishte mbetur e njëjtë. Takime të paradokohshme, biseda të freskëta e planifikime për të kremtuar 70-vjetorin e tij e kanë bërë edhe më tronditës lajmin për vdekjen e Ismet Bogujevcit. Me cilësimin e “Doajenit të Shotës”, ansamblit me të cilin mbeti i lidhur si mishi me thoin gjatë gjithë jetës, “Bali” është evokuar si shëmbëlltyra e këngëtarit të fismë, njeriut të përkorë e kolegut shembullor. Me një repertor të pasur këngësh shqipe, Bogujevci është vlerësuar edhe për diçka tjetër: për ruajtjen e muzikës shqipe në mënyrë të pakompromis përballë komercializmit

“Shota” nuk ishte vetëm e kaluara e tij, mjedisi ku në një ditë të qashtër të vitit 1972 vendosi t’i kushtonte pasionin e dhuntinë e tij. Ishte e thënë që kjo dashuri të ishte e para dhe e fundit, sepse ajo nyjëtoi një karrierë tërë që u begatua me koncerte e prurje ngjyrashumë të folklorit shqip. Valltarë e valltare të Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve me një “marshim” e kanë nderuar këngëtarin që përherë i frymëzoi.

Prej nisjes nga sheshi “Zahir Pajaziti” e deri te Teatri Kombëtar, vetura mortore me arkivolin e Ismet Bogujevcit ka përshkuar sheshin kryesor të kryeqytetit në përcjelljen e valltarëve me tirqit e galmë dhe valltareve shamibardha. Në ceremoninë e homazheve të organizuara në mënyrë shtetërore nga Ministria e Kulturës, miq, kolegë e dashamirë të artit folklorik të premten paradite i kanë dhënë lamtumirën e fundit artistit që e nderoi këngën shqipe.