Kulturë

Me rinovim artistik, Komuna synon ringjalljen e Tunelit të Kurrizit

Nëpërmjet artit, hapësira e poshtme e Kurrizit, përkatësisht Tuneli, mund të kthehet në një vend për organizimin e ngjarjeve kulturore. Me thirrjen për të aplikuar me projekte, Komuna e Prishtinës po synon të rigjenerojë këtë pjesë dhe rikthimin e atraktivitetit të dikurshëm të saj
 

Është një nga pjesët më të frekuentuara nga banorët e kryeqytetit. Pas asfaltimit të rrugës nën Tunelin e Kurrizit në qershor të vitit të kaluar, Komuna e Prishtinës po e konsideron edhe rinovimin artistik të kësaj pjese. Nëpërmjet një konkursi, Qeveria e kryeqytetit po synon që të gjejë një zgjidhje urbane e arkitektonike nëpërmjet artit. Lajmin e ka bërë të ditur të premten pasdite drejtori për Kulturë në Komunën e Prishtinës, Adrian Berisha.

“Tuneli i Kurrizit në lagjen ‘Dardania’ paraqet një aset kulturor dhe ekonomik, të cilin Komuna e Prishtinës do ta revitalizojë në mënyrë që ta kthejë atraktivitetin në këtë pjesë të qytetit, ashtu siç ishte gjatë viteve ‘90”, ka shkruar Berisha në llogarinë e tij në Facebook.