Kulturë

Koleksioni i Shaqir Hotit – pasuri unike e trashëgimisë kulturore e shpirtërore

Hapja e ekspozitës “Bashkëbisedim me Bacën Shaqë”, ku paraqitet një koleksion i papërsëritshëm veprash, të cilat do të vazhdojnë të frymëzojnë gjenerata artistësh e aktivistësh kulturorë, është bërë në kuadër të aktiviteteve për ta shënuar Ditën Ndërkombëtare të Muzeve
 

Në kuadër të aktiviteteve për ta shënuar Ditën Ndërkombëtare të Muzeve, institucioni më i lartë muzeor në vend ka hapur ekspozitën ”Bashkëbisedim me Bacën Shaqë”, me instrumente e gjësende origjinale të Shaqir Hotit. Ky është hapi i parë për inventarizimin e më pas shndërrimin e tyre në artefakte të mbrojtura të trashëgimisë kulturore e shpirtërore

Një muze unik brenda muzeut, mund të përshkruhet hapësira ekspozuese në Muzeun Kombëtar të Kosovës, ku është ekspozuar koleksioni i veçantë i instrumentistit e muzikantit të ndjerë Shaqir Hoti. Prej së mërkurës, dhjetëra instrumente të gdhendura nga maestroja e muzikës e gjëra personale të tij janë vënë në dispozicion të publikut.

Ekspozita vë në pah inovacionin e tij në mjeshtërinë e prodhimit të instrumenteve kryesisht frymore. Instrumente nga arra, lajthia e degët e pemëve janë disa prej gjetjeve të tij. Për këdo që viziton këtë hapësirë, vend të veçantë zë riprodhimi i okarinës, instrumenti neolitik i gjetur në Runik, që bashkë me 1.243 artefakte vazhdon të mbahet në Serbi. Pikërisht nëpërmjet këtij instrumenti Hoti u dallua.