Kulturë

Skulptura e zhdukur nga qendra e Mitrovicës më 2010, vjen si siluetë

Për hir të rigjallërimit të memories kolektive, përfaqësuesit e organizatës “Pse jo ndryshe” e kanë rikthyer në një version të ri veprën e cila u hoq nga qendra e qytetit të Mitrovicës

Për nja shtatë dekada kishte qëndruar në qendër të Mitrovicës duke u bërë pjesë e kujtesës kolektive. U zhduk mesnatën e një të diele më 2010, e rrethanat s’u sqaruan kurrë. Por disa të rinj e kanë rikthyer veprën që njihej si “Punë, art dhe dije” vetëm si siluetë. Në fakt, ajo është një thirrje që të rikthehet versioni origjinal dhe autoritetet premtojnë se do ta bëjnë një gjë të tillë

Një skulpturë përfaqësonte artistikisht gjithë qytetin. Elementet e kazmës, helmetës, pëllumbit e librit ishin ato që pasqyronin denjësisht Mitrovicën. “Punë, art dhe dije” quhej vepra, e cila në mënyrë misterioze u largua nga qendra e qytetit në vitin 2010 – për të hyrë në listën e objekteve të trashëgimisë kulturore të cilat mbetën në neglizhencë institucionale – e që fati i saj ende nuk dihet.

Mirëpo, për hir të rigjallërimit të memories kolektive, përfaqësuesit e organizatës “Pse jo ndryshe”, arkitekti Arianit Gjosha dhe sociologu Riki Fejza, njëmbëdhjetë vjet pas zhdukjes së skulpturës kanë vendosur ta sjellin një version të ri të saj. Në fakt, është një lloj thirrjeje për ta rikthyer atë të stilit të moçëm që u bë pjesë e qytetit për nja shtatë dekada.