Kulturë

Fahri Beqiri – vizionari që guxoi nëpërmjet artit muzikor

Kur është bërë fiks një muaj prej ditëvdekjes së tij, të premten pasdite, një tribunë përkujtimore ka qenë nderimi i parë për profilin e kompozitorit, profesorit dhe drejtuesit të festivaleve e institucioneve në Kosovë, Fahri Beqiri (Foto: Arben Llapashtica)
 

Duke krijuar në një kohë të pakohë, kur mungesa e lirisë sillte kufiza në çdo sferë njerëzore, Fahri Beqiri u kthye në kompozitorin që guxoi nëpërmjet artit muzikor. Prej poemës simfonike “Skënderbeu”, që e krijoi në ditët studentore në Beograd, e gjatë gjithë “oeuvr”-it të tij, melosi popullor i endur sipas një niveli të lartë artistik u bë shquesja kryesore e artistit klasik. “Prandaj, emri i Fahri Beqirit do të mbetet si një gur kilometrik që gjithmonë do t’ua tregojë brezave rrugën e përshkuar drejt qytetërimit”, ka thënë akademiku dhe etnomuzikologu Vasil S. Tole, në tribunën përkujtimore të organizuar të premten me rastin e njëmujorit të vdekjes së kompozitorit të njohur

Dyzet zëra të Korit të Filharmonisë së Kosovës janë bërë bashkë për ta nderuar nëpërmjet këngëve korale njeriun që e kishin thuajse pjesë të pandarë të jetës profesionale. Motivues për secilin, por edhe kritik në kërkim të së përkryerës në artin muzikor, Fahri Beqiri ishte emri i përveçëm që Kosovës e hapësirave të tjera shqiptare në ish-Jugosllavi u plazmoi vlera klasike që koha i zbulon gjithnjë me cilësi të reja.

Kur është bërë fiks një muaj prej ditëvdekjes së tij, të premten pasdite, një tribunë përkujtimore ka qenë nderimi i parë për profilin e kompozitorit, profesorit dhe drejtuesit të festivaleve e institucioneve në Kosovë.