Kulturë

“Anibari” në fluturim me art përtej izolimit

“Izolimi mund të nënkuptojë edhe errësirën. Tani që të huajt më shumë se kurrë mund të shihen si kërcënim, izolimi mund të shndërrohet në ksenofobi, segregim dhe intolerancë. Izolimi ynë ka qenë thirrje zgjimi në mënyrë që të bëhemi më serioz për çështjet me të cilat përballemi brenda mureve të shtëpive tona, njëjtë edhe për kufijtë e vendit tonë...”
 

Prej 23 deri më 30 korrik, “Anibari” do të festojë ëndrrat, imagjinatën e lirinë nëpërmjet filmave të animuar. “Izolimi” është temë e edicionit të sivjetmë, porse gjithçka përreth festivalit ka të bëjë me të kundërtën “Ne i bëjmë njerëzit bashkë, shfaqim filma në ambiente të hapura dhe tregojmë art pa kufij”, kanë zbërthyer organizatorët

Festivali Ndërkombëtar i Animacionit, deklaratën për media me të cilën zbërthen temën e sivjetme e ka hapur me një fakt, që sado i hidhur, shpërfaq një të vërtetë. Ekipi ka theksuar se falë situatës me pandeminë COVID-19 e gjithë bota e ka kuptuar se çfarë do të thotë kur udhëtimi është pothuajse i pamundur.

“Kosovarët veçse e dinë. Ndërsa ne, në anën tjetër, kemi kaluar në stadin e atyre që tashmë janë bërë ekspertë të izolimit për shkak të kufizimeve të lëvizjes përtej kufijve. Por kjo do të thotë se jemi edhe ëndërrimtarë”, është shkruar në komunikatë. Tutje është treguar se tema e edicionit të sivjetmë është “Izolimi”, që “Anibari” e ka parë si një paradoks të bukur.